Asistentët arsimorë nuk mund të punësohen përgjithmonë, siç kërkojnë prindërit e fëmijëve me zhvillim jotipik, sepse nevojat në shkolla po ndryshojnë. Kështu u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në intervistën e saj për Radion Evropa e Lirë.
Nëse në të ardhmen do të lindë një mundësi për një gjë të tillë, ministrja tha se do ta pranonte me kënaqësi, por u zotua se nuk do të jep shpresa të rreme tani.
“Mesazhi im për prindërit është të jenë të qetë. Ministria, e cila është përgjegjëse për qendrat e burimeve që shpallin konkurset për asistentë arsimorë, komunikon, është në kontakt dhe kryen njëfarë mbikëqyrjeje. Megjithatë, prindërit duhet të dinë se së pari shkollat raportojnë se sa asistentë arsimorë u nevojiten. Kjo kërkon kohë, së pari fëmijët duhet të regjistrohen, pastaj shkollat duhet të përcaktojnë se sa fëmijë kanë me nevoja të veçanta arsimore në mënyrë që ata të mund të raportojnë në qendrën e burimeve. Asistentët arsimorë nuk janë të punësuar përgjithmonë. Arsyeja është se nevojat për ta ndryshojnë çdo vit. Nëse nevojat rriten, ne e rrisim numrin e asistentëve, sqaroi Janevska.
Lidhur me rezultatet e testit PISA, Janevska sheh fajin më të vogël te mësuesit, ndërsa presioni dhe sfida më e madhe, siç thekson ajo, qëndron te prindërit dhe e gjithë shoqëria. Sipas saj, rezultatet e PISA-s i lokalizojnë qartë problemet.
Kujtojmë se, në vitin e shkollor 2024/2025, më shumë se 1000 asistentë arsimorë u angazhuan në shkollat fillore për të ndihmuar në përmirësimin e procesit arsimor të nxënësve me aftësi të veçanta dhe për t’i ndihmuar ata në kryerjen e përditshme të detyrave të tyre shkollore.





