Tetovë, 6 shkurt – Në Spitalin klinik Tetovë sot solemnisht janë lëshuar në përdorim hapësirat e reja të qendrës rajonale tetovare të Institutit për mjekësi transfuzioni. Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se rikonstruimi i hapësirave të reja ka filluar në fillim të vitit 2024, ndërsa Instituti ka investuar rreth 8,3 milionë denarë.
“Qendra tetovare është një nga katër qendrat e Institutit për mjekësi transfuzioni, ku përfshihen edhe qendra e Shtipit, Manastirit dhe ajo e Shkupit si qendrore. Viti i kaluar ishte rekord duke marrë parasysh numrin e dhuruesve, të cilët dhuruan në Instituitn tonë dhe ishte 60.222 dhurues. Intenca dhe angazhimi është që edhe këtë vit të kemi më shumë dhe numër më të madh të dhuruesve, pasi që klinikat kirurgjike, posaçërsht pacientët onkologjikë presin prej nesh për gjak dhe produkte tjera të gjakut, e këtu përfshihen edhe degët interne, posaçërisht hematologjia, e cila ka kërkesë për gjak”, tha Amir Elezi, drejtor i Institutit për mjekësi transfuzioni.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, intervenimet infrastrukturore janë pjesë e qëllimeve të Ministrisë për disperzion të shërbimeve shëndetësore në nivel të shtetit dhe rajonilizimit.
“Ne do të vazhdojmë më tej së bashku me drejtorin të prezantojmë dhe përmirësojmë kapacitetet njerëzore që qartë nevojiten në Tetovë. Shpresoj që do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në aspektin e teknologjive dhe mundësive të reja për qendrën, në mënyrë që ajo t’i ofrojë ato në kohë reale dhe në pajtim me standardet evropiane. Gjithashtu uroj që qytetarët e këtij rajoni që marrin dhe dhurojnë gjak në këtë qendër, të vazhdojnë më tej sepse gjaku është një pjesë jetësore e çdo qytetari dhe në momentin kur kemi më shumë nevojë për të, duhet ta kemi të deponuar në kohë reale dhe ta procesuojmë”, tha Aliu.
Qendra rajonale e transfuzionit në Tetovë, si pjesë përbërëse të saj, përfshin edhe tre qendra më të vogla: në Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Kjo qendër rajonale përpunon gjakun e mbledhur nga qendrat e tjera, ofron shërbime ambulatore për pacientët (ekzaminime dhe analiza), organizon fushata për dhurimin e gjakut dhe furnizon klinikat dhe spitalet në këtë rajon me gjak dhe produkte gjaku.



