Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës së tij.
Kështu ka njoftuar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, duke shtuar se institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.
Lutfiu shtoi se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, hap rrugën për trajtimin e rastit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, që do të thotë edhe institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave. Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, thuhet në njoftimin e Lutfiut.
Edhe Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës.
Sinani ka pohuar se “Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës”.
“Përveç legjitimimit të diskriminimit të skajshëm rreth pasivizimit, Gjykata Kushtetuese, me një vendim antikushtetues si ky, po punon në dekurajimin e shqiptarëve të Luginës në betejën e tyre për drejtësi e barazi”, ka pohuar ajo në postimin e bërë në Facebook.
Sipas saj, shqiptarëve të Luginës u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.(INA)