Dy shtëpitë muze në kalanë e Shkupit, do të jenë të hapura për vizitoret nga viti i ardhshëm ndërsa për të njëjtat do të harxhohen 8 milion denarë, shkruan Alsat.
Këtë zotim e dha ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov gjatë nënshkrimit të memorandum për bashkëpunim me Institutin arkeologjik gjerman në lokacionin e Skupit të vjetër.
“Ne bëmë shqyrtim komplet të situatës së bashku me administratën për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe me rishikim të buxhetit janë siguruar 8 milion denarë të cilat do të harxhohen deri në fund të vitit që të mundet dy muzetë të jenë të hapura për vizitorët”, tha Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës dhe Turizmit.
Një projekt tjetër që u intereson kryeqytetasve është ai i Sallës universale. Ministri Lutkov tha se salla Universale e Shkupit pritet të jetë gati deri në fund të vitit 2027 dhe për të njëjtën do të shpenzohen rreth 20 milion euro. Ai tha se tash më është shpallur tenderi dhe përfundimi i saj do të jetë vetëm në një fazë apo siç tha “Me çelësa në duar”.
”Të gjitha punët i pastruam, u dakorduam ligjërisht dhe e shpallem prokurimin publik disavjeçar që do të thotë se do të financohen nga 15 shtatori nëse është gjithçka në rregull me prokurimin publik, do të fillojmë me ndërtim dhe do të jetë e financuar fundin e vitit 2025, 2026 ndërsa 2027 duhet të përfundohet dhe do të mbesin edhe ca mjete të caktuara të cilat do të duhet të paguhen në vitin 2028 por hapja duhet të jetë në fund të vitit 2027”, u shpreh Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës dhe Turizmit.
Sa i përket lokalitetit në fshatin, Koroshishtë të Strugës ku u gjeten artefaktet si helmetë prej bronzi, unazë prej ari dhe enë të ndryshme të periudhës arkaike të shekullit të gjashtë, sipas Lutkov, nëse do të ketë projekt për vitin e ardhshëm për të vazhduar gërmimet në këtë lokalitet, i njëjti do të përkrahët nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit./ Alsat.mk