Një valë sulmesh ajrore izraelite goditi Qytetin e Gazës, disa orë pasi zyra e kryeministrit izraelit tha se kryeministri, Benjamin Netanyahu kishte urdhëruar ushtrinë të niste menjëherë sulme të rënda në Gaza, duke akuzuar Hamasin për shkelje të kushteve të armëpushimit.
Izraeli thuhet se kreu të paktën tre sulme ajrore, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës.
Raportet fillestare nga zona thanë se sulmet goditën një zonë pranë spitalit më të madh që ende vepron në Gazën veriore. Qyteti i Gazës ndodhet në skajin verior të Rripit.
Vendimi i Netanyahut erdhi menjëherë pas një sulmi ndaj forcave izraelite në Gazën jugore, i cili shkaktoi zemërim në Izrael, si dhe incidente që lidhen me kthimin e trupave të pengjeve. Marrëveshja e armëpushimit ka qenë në fuqi vetëm për tre javë, pasi u arrit më 10 tetor. Që atëherë, si Hamasi ashtu edhe Izraeli kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Izraelite Izrael Katz tha se Hamasi do të paguajë një “çmim të lartë” për sulmin ndaj ushtarëve të IDF-së.
“Sulmi ndaj ushtarëve të IDF-së në Gaza sot nga organizata terroriste Hamas kalon vijën e kuqe, ndaj së cilës IDF do të përgjigjet me forcë të madhe”, shtoi Katz.
“Hamasi do të paguajë shtrenjtë për sulmin ndaj ushtarëve dhe për shkeljen e marrëveshjes për kthimin e trupave të pengjeve”, shtoi ai.





