Ushtria izraelite ka njoftuar se mbi 250.000 banorë janë larguar nga Qyteti i Gazës në javët e fundit, për shkak të intensifikimit të sulmeve në këtë zonë. Sipas zëdhënësit ushtarak Avichay Adraee, banorët janë zhvendosur për arsye sigurie drejt pjesëve të tjera të territorit palestinez.
Më 13 shtator, ushtria shpërndau pamflete që u bënin thirrje banorëve të lagjeve perëndimore të evakuohen, ndërsa raportohen sulme të vazhdueshme ajrore. Izraeli synon të marrë kontrollin e plotë të qytetit, duke e cilësuar atë si një prej bastioneve të fundit të Hamasit. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se ofensiva e re mund të përkeqësojë më tej krizën humanitare në Gaza, ku tashmë është shpallur gjendje urie. Vetëm të shtunën, sipas autoriteteve lokale, janë vrarë të paktën pesë persona, ndërsa një ditë më parë, numri i viktimave arriti në 50.
Lufta nisi më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe rrëmbyer mbi 250 të tjerë. Si pasojë e kundërofensivës izraelite, mbi 64.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territor, shifër e konsideruar e besueshme nga OKB-ja.