Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu paralajmëroi se ushtria izraelite do ta “çarmatojë” Hamasin nëse grupi palestinez nuk i dorëzon vullnetarisht armët e tij, pasi bisedimet mbi fazën e dytë të marrëveshjes midis dy palëve janë në një pikë kritike.
Në një intervistë me rrjetin amerikan CBS News, të transmetuar të mërkurën, Netanyahu argumentoi se i dha “paqes një shans” duke arritur marrëveshjen fillestare të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve javën e kaluar, por theksoi se “Hamasi së pari duhet të dorëzojë armët e tij”.
“Dhe së dyti duhet të sigurohet që të mos ketë fabrika armësh brenda Gazës dhe të mos ketë kontrabandë armësh në Gaza. Ky është demilitarizim”, shtoi Netanyahu.
“Gjembat” e fazës së dytë
Pavarësisht mbështetjes së shprehur nga Uashingtoni dhe pjesa më e madhe e udhëheqjes izraelite, faza e dytë e propozimit amerikan të paqes mbetet e pasigurt. Çështje të tilla si çarmatimi i plotë i Hamasit, tërheqja e mundshme e forcave izraelite nga Gaza, roli i forcës ndërkombëtare të stabilizimit dhe mundësia e mbështetjes amerikane për një plan rrugor për krijimin e një shteti palestinez po shkaktojnë tensione në negociata.
Pika e mprehtë e Trump dhe përgjigja e Netanyahut
Të hënën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump i tha parlamentit izraelit se Netanyahu “nuk është personi më i lehtë për të punuar me të”.
I pyetur për këtë, kryeministri izraelit i tha CBS: “Shpresoj që ai ta thotë këtë sepse unë jam shumë i ashpër kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit tim”.
“Është gjithmonë përgjegjësi e udhëheqësit të shtetit hebre të sigurojë që vetë shteti hebre të mos vihet kurrë në rrezik për sa i përket ekzistencës së tij”, shtoi Netanyahu.