Izet Mexhiti: VLEN drejt bashkimit të madh – Kongresi i parë pritet në maj

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në emisionin “n’Podium” me Mefo Ismailin, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe takimet e rregullta të liderëve brenda koalicionit VLEN.

Ai theksoi se takimet janë të zakonshme dhe shërbejnë për diskutimin e temave aktuale, përfshirë çështjet e ekzekutivit dhe decentralizimin e komunave. Megjithatë, sipas tij, vëmendje e veçantë i është kushtuar zhvillimeve brenda VLEN-it, duke e cilësuar këtë subjekt si një fenomen të ri në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Mexhiti deklaroi se VLEN është e vetmja parti me shtrirje të gjerë republikane, duke përfshirë territore nga Dollneni deri në Dibër e Strugë, ndërsa partitë e tjera, sipas tij, mbeten më shumë të fokusuara në baza lokale.

Ai njoftoi gjithashtu se është duke u përgatitur mbajtja e Kongresit të parë të VLEN-it, i cili pritet të zhvillohet në muajin maj. Në këtë kongres do të formalizohet bashkimi i subjekteve politike në një parti të vetme, do të përcaktohet ideologjia e saj si e qendrës së djathtë dhe do të vendosen strukturat e reja organizative.

Sipas Mexhitit, tashmë po punohet për formimin e një grupi ekspertësh që do të hartojnë platformën dhe programin e ri politik, si dhe do të përgatisin organizimin dhe strukturimin e partisë së re.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit