Shkup, 9 Tetor 2025 – Zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka prezantuar shtyllën e tretë të programit të tij, e cila fokusohet në një projekt ambicioz për transformimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Sipas tij, ky projekt do të shndërrojë këtë zonë historike në një qendër moderne të zhvillimit kulturor, ekonomik dhe turistik të qytetit.
Investimet janë tashmë të siguruara dhe përfshijnë restaurimin e disa rrugëve tradicionale të Çarshisë si “Saraçka”, “Papuxhiska”, “Petar Mihov”, “Samarxhiska” dhe “Kovaçka”. Po ashtu, parashikohet rinovimi i fasadave të dyqaneve me ruajtjen e pamjes autentike, si dhe instalimi i një sistemi të ri ndriçimi që do të theksojë vlerat arkitektonike dhe do të përmirësojë sigurinë gjatë natës.
Në kuadër të këtij vizioni është edhe projekti “Çarshia Digjitale”, përmes të cilit do të integrohet teknologjia moderne në promovimin e trashëgimisë kulturore. Vizitorët do të kenë në dispozicion tabela interaktive, Wi-Fi falas dhe një aplikacion informues që do t’u ofrojë përvojë bashkëkohore dhe qasje të lehtë në të dhëna historike.
Mexhiti theksoi gjithashtu se po punohet në ndërtimin e tualeteve publike moderne, të pastra dhe të qasshme për të gjithë, në përputhje me standardet evropiane. Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe restaurimi dhe mbrojtja e objekteve me vlerë të lartë kulturore dhe arkitekturore si Kurshumli An, Kapan An, Suli Hani, Çifte Hamami, Hamami i Daut Pashës, Shengjyl Hamami dhe Bezisteni.
Pika kulmore e projektit është ndërtimi i pjesës së tretë të Sheshit “Skënderbeu” dhe parkingut nëntokësor me dy kate, një investim në vlerë prej 25 milionë euro, tashmë i siguruar nga Qeveria. Sipas Mexhitit, ky investim do të lehtësojë qasjen, do të përmirësojë funksionalitetin urban dhe do të përmbyllë fazën e parë të rilindjes së plotë të Çarshisë së Vjetër.
“Ky është një plan i detajuar, me buxhet të garantuar dhe afate të përcaktuara, që do ta kthejë Çarshinë e Vjetër në një pol të ri zhvillimi dhe një pikë identitare të Çairit bashkëkohor,” deklaroi Mexhiti.