Sonte në Shkup nisi një aksion i madh pastrimi, pas javësh të vështira ku qyteti u mbulua me mbeturina për shkak të bllokadave dhe neglizhencës.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dolën personalisht në terren për të udhëhequr këtë mobilizim qytetar.
Në aksion po marrin pjesë ekipet e Higjienës Komunale, Parqeve dhe Gjelbërimit, ndërmarrjet e qytetit dhe kompani me përgjegjësi shoqërore, me qëllim që të pastrohen kontejnerët, shëtitoret, sheshet dhe mini-deponitë e krijuara gjatë javëve të fundit.
“Sonte Shkupi nuk do të flejë mbi berllok, por do të zgjohet në mëngjes me ajër më të pastër dhe me pamje të re. Ky është fillimi i një kapitulli të ri për qytetin tonë,” – deklaroi Mexhiti.
Aksioni simbolizon një bashkim të institucioneve dhe qytetarëve për ta kthyer Shkupin në një vend të pastër, të shëndetshëm dhe me dinjitet.
https://www.facebook.com/share/1A7oDLd9vP/





