Izet Mexhiti inspekton projektet në terren: Masterplani i Çairit po merr formë

Kryetari i Komunës së Çairit dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook mbi ecurinë e projekteve të mëdha që po realizohen në Çair, në kuadër të Masterplanit zhvillimor.

Gjatë javës, Mexhiti së bashku me ekipin që ka hartuar Masterplanin ka zhvilluar vizita në terren nëpër lagje, për të parë nga afër realizimin e projekteve që tashmë kanë hyrë në fazën e zbatimit. Sipas tij, gjatë ecjes në rrugët e komunës janë prezantuar ndërhyrjet e kryera dhe hapat e ardhshëm të zhvillimit urban.

Ndër projektet kryesore që po transformojnë infrastrukturën lokale përmenden punimet në rrugët Ferid Murat dhe Mit’hat Frashëri, ku përmirësimet në qarkullim dhe standard urban tashmë janë të dukshme. Po ashtu, në vijim është ndërtimi i pishinës komunale, një investim që synon të shërbejë për sportin, rekreacionin dhe aktivitetet rinore.

Një tjetër projekt strategjik është zgjerimi i bulevardit Cvetan Dimov, i cili pritet të rrisë funksionalitetin e trafikut dhe sigurinë për qytetarët. Paralelisht, vendosja e kontenjerëve nëntokësorë për menaxhimin e mbeturinave po sjell një qasje më moderne ndaj higjienës publike.

Mexhiti theksoi se vizitat në terren shërbejnë për të monitoruar ritmin e realizimit dhe për të koordinuar fazat e ardhshme, duke garantuar që projektet të zhvillohen sipas standardeve dhe afateve të planifikuara. Sipas tij, Masterplani i Çairit po konkretizohet hap pas hapi, me investime që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin afatgjatë të komunës.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit