Të mos presim që tronditja e çmimeve nga karburantet të përhapet te çmimet në markete, por qeveria të ndërhyjë menjëherë me masa për të parandaluar një goditje të re të çmimeve ndaj standardit të qytetarëve – apelojnë nga Organizata e Konsumatorëve dhe ajo e transportuesve. Që gjendja të mos përshkallëzohet, nga Organizata e Konsumatorëve përveç uljes së akcizave dhe TVSH-së për karburantet, kërkojnë menjëherë edhe masa për kufizimin e marzhave dhe vendosjen e kufijve maksimalë për çmimet e produkteve bazë ushqimore. Reagimet vijnë pasi çmimet e disa prej produkteve bazë ushqimore, si vaji dhe vezët, brenda një dite u rritën për 10 dhe më shumë për qind, ndërsa nga qeveria ende nuk ka masa konkrete.
“Situata në Lindjen e Mesme nuk do të thotë se po qetësohet dhe presim që kjo të ketë ndikim të madh. Prandaj duhet të kihet shumë kujdes për standardin e qytetarëve dhe ato masa që më parë i propozonte Qeveria, siç është ulja e marzhave, të paktën për produktet bazë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se tregtarët dhe distributorët menjëherë do të rrisin çmimet e produkteve të tjera që nuk bëjnë pjesë në shportën e konsumit, megjithatë është shumë e rëndësishme që çmimet bazë të mbeten stabile”, tha Marijana Lonçar – Organizata e Konsumatorëve.
Transportuesit kanë paraqitur kërkesa te Qeveria për masa të menjëhershme. Thonë se ka presion nga kompanitë për të rritur çmimet e transportit, por gjithçka varet nga oferta dhe kërkesa.
“Ata duan t’i rrisin, kush nuk do t’i rrisë kur i rriten shpenzimet. Prandaj ne si shoqatë nga ana jonë kërkojmë që shteti të reagojë për të ulur shpenzimet në mënyrë që të mund të përballojmë rritjen e çmimit të karburantit”, pohoi Biljana Muratovska, Makam-Trans.
Nga Inspektorati i Tregut sigurojnë se kontrollet e tyre kanë treguar se çmimet janë stabile. Ka pasur rritje vetëm të çmimeve të vajit dhe vezëve, por për arsye të justifikuara, për shkak të rritjes së çmimeve të vajit në bursa dhe të çmimeve të ushqimit për pulat.
“Vaji është produkt burse dhe në bursa është rritur 15 për qind dhe tek ne është vërejtur rritje prej 3 deri në 5 denarë. Për vezët, prodhuesit ankohen për rritje të ushqimit, soja është rritur për 100 – 150 për qind, ndërsa misri 100 për qind – tani tek ne mesatarja është 10 denarë për vezë. Analizat krahasuese tregojnë se çmimet tek ne janë më të ulëta për 10 deri në 20 për qind për këto produkte në krahasim me Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, madje edhe Kosovën”, pohoi Vllatko Stojkoski – drejtor i ISHT.
Ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit menjëherë ndërmorën masa që goditja nga rritja e çmimeve të karburanteve të mos nxisë inflacionin, Qeveria e vendit njoftoi se po mendon për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind.



