Irani ka lëshuar dy raketa ballistike ndaj ishullit “Diego Garcia”, një bazë ushtarake amerikano-britanike e vendosur në oqeanin Indian. Ky sulm mund të shënojë një shkallë të re të luftës, pasi kjo bazë është rreth katër mijë kilometra larg bregut iranian. Sulmi ka dështuar. Sipas zyrtarëve amerikanë, raketa e parë ka pësuar një defekt gjatë fluturimit dhe ka rënë në det, ndërsa e dyta është rrëzuar nga një anije luftarake amerikane duke përdorur sistemin SM-3 para se të arrinte objektivin.
Baza e “Diego Garcias” ndodhet në një ishull të izoluar të arkipelagut të Chagos dhe është një nga bazat ushtarake më të rëndësishme në botë. Bombarduesit që mund të mbajnë armë bërthamore ndodhen ndonjëherë aty. Është interesante që pikërisht të premten, Mbretëria e Bashkuar ia kaloi këtë bazë, së bashku me bazën Fairford në Angli, Shteteve të Bashkuara për t’i përdorur për “operacione specifike mbrojtëse kundër Iranit”, shkruan “Times of India”.
“Diego Garcia” është një nga rreth 60 ishuj që formojnë Arkipelagun e Chagos, ose Territorin Britanik të Oqeanit Indian – kolonia e fundit e krijuar nga Mbretëria e Bashkuar kur ajo u nda nga Mauritiusi në vitin 1965. Ajo ndodhet afërsisht në mes të Afrikës Lindore dhe Indonezisë. Për të ndërtuar një bazë ushtarake, britanikët shpërngulën me forcë rreth dy mijë banorë të këtij ishulli gjatë viteve ’60 dhe ’70.
Traktatet e nënshkruara në vitin 1966 ia dhanë ishullin Shteteve të Bashkuara me qira prej 50 vjetësh, me mundësinë e një zgjatjeje për 20 vjet të tjera. Marrëveshja ka skaduar në vitin 2016, por britanikët e kanë zgjatur kontratën për 20 vjet të tjera, kështu që do të skadojë në vitin 2036.
“Diego Garcia” ishte baza nga e cila bombarduesit B-2 të SHBA-së mbushën karburant për të kryer sulmet e para ajrore ndaj Afganistanit pas sulmeve të 11 shtatorit. Po ashtu, gjatë “luftës kundër terrorizmit”, aeroplanët u dërguan direkt nga ky ishull për në Afganistan dhe Irak.
Ky sulm iranian shqetësoi Washingtonin sepse Irani ka deklaruar për vite me radhë se rrezja e raketave të tij ishte 2 mijë kilometra, por ky sulm mund të tregojë se kjo rreze tani është dyfishuar.



