-0.2 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

Investimet në politikat familjare janë të pamjaftueshme, rritja e fëmijëve po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme

Jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë dhe kjo i detyron prindërit të bëjnë kalkulime të vazhdueshme për ta kaluar çdo muaj që vjen e që me ardhjen e tij shpenzimet janë gjithnjë e më të mëdha. Analiza e fundit e Qendrës për Barazi dhe Drejtësi nxori në pah se shpenzimet për rritjen e një fëmije sillen nga 150.000 deri në 200.000 denarë në vit, ose në nivel mujor nga 12.000 deri në 16.000 denarë, ndërkohë që paga mesatare është pak mbi 45 mijë denarë.

Ngarkesa financiare është edhe më e madhe për prindërit vetushqyes dhe te familjet ku ka fëmijë me aftësi të kufizuara ose me sëmundje kronike.

„Edhe pse jam 39 vjeç unë ndjehem sikur jam 80. Vetë gjendja e fëmijës, stresi nga lufta me institucionet na plakën para kohe. Me bashkëshortin ia dalim si dimë e si mundemi, ndërsa me rritjen e fëmijëve rriten edhe shpenzimet“, thotë Irena Nikollovska Ristanovska.

Ajo është nënë e dy fëmijëve, Llukës 14 vjeçar, i cili ka autizëm, por dhe një sëmundje të rrallë, si dhe Jovanës 9 vjeçare, e cila ka një sëmundje të veshkave. Kompensimi mujor që e marrin nga shteti është 7.800 denarë, para këto që nuk mjaftojnë as për t’i blerë suplementet e nevojshme për Llukën.

Nëna e tij thotë se shpenzimet për suplemente sillen nga 10.000 deri në 12.000 denarë në muaj, ndërsa aty është edhe ushqimi pa gluten për të cilin ai ka nevojë.

“Një bukë pa gluten diku kushton rreth 125, ndërsa diku tjetër 145 denarë. Këto janë shumë para për një bukë”, shtoi Irena.

Por krahas shpenzimeve për ushqim, Irena dhe bashkëshorti i saj e paguajnë nga xhepi transportin për në Shkup sa herë që e çojnë Llukën tek një specialist si i cili nuk ka në qytetin e tyre.

“Familje që harxhohen në çdo kuptim të fjalës”
Në këtë luftë për të siguruar sa më shumë që të jetë e mundur për fëmijët e saj ajo duhet ta reduktojë kohën që e kalon me ta dhe krahas punës së saj të rregullt të punojë edhe një punë të dytë.

Por paratë e fituara sërish nuk janë të mjaftueshme që familja të shkojë me pushime.

“Verën e kaluar Jovana shkoi në Pretor vetëm tre herë për një ditë. Kur filloi viti shkollor ajo ishte e trishtuar, sepse fëmijët kishin treguar se si uji kishte qenë i kripur, e ajo nuk ka idenë se si duket kjo gjë. Familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara harxhohen në çdo kuptim të fjalës. Mendoj që në një situatë të tillë shteti duhet të ofrojë pushime falas për të gjithë familjen, por edhe kur bëhet fjalë për familjet me prind vetushqyes”, ​​thekson Irena.

Ajo dhe Jovana këtë dimër do të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa Lluka dhe babai i tij do të shkojnë në pushime dimërore që do të sigurohen nga Ministria e Politikës Sociale, e cila i mbulon shpenzimet vetëm për fëmijën dhe për një shoqërues.

Por, përderisa Lluka pret që të niset për në mal, shteti e ka vonuar pagesën e ndihmës speciale. Kështu, prindërit e këtij adoleshenti janë detyruar të marrin hua nga miqtë e tyre, sepse duke jetuar “nga dita në ditë” ata nuk janë në gjendje të kursejnë.

Shpenzimet janë më të larta për të porsalindurit dhe adoleshentët
Ndërsa kështu është jeta e përditshme për shumë prindër të tjerë, fëmijët e të cilëve kanë aftësi të kufizuara ose sëmundje kronike. Nevojat dhe shpenzimet e tyre janë shpesh shumë më të larta se ato të familjeve të tjera, por edhe shumë më të paparashikueshme.

Këtë e nxorri në pah analiza e fundit e realizuar nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi, e cila përllogariti se shpenzimet vjetore për rritjen e një fëmije në Maqedoninë e Veriut sillen nga 150.000 deri në 200.000 denarë. Kjo do të thotë se vetëm për një fëmijë, nevojiten nga 12.000 deri në 16.000 denarë në muaj.

Kjo Qendër theksoi se me rritjen e numrit të fëmijëve, rritet edhe shkalla e varfërisë. Prandaj, siç tregon analiza, shteti duhet t’i rishikojë politikat e tij në mënyrë që ato t’i pasqyrojnë më mirë shpenzimet reale sipas të ardhurave dhe numrit të fëmijëve.

Shpenzimet për një fëmijë fillojnë që para lindjes, kështu që për sa i përket grupmoshës, ato janë më të larta për të porsalindurit. Nga tre deri në gjashtë vjet ato ulen, ndërsa pastaj rriten gradualisht përsëri dhe “kulmojnë” në vitet e adoleshencës së fëmijës.

“Në vitin e parë të jetës së një fëmije nevojiten rreth 190.000 denarë sepse këtu bëjnë pjesë edhe shpenzimet fillestare për një karrocë fëmijësh, krevat, karrige makine, transportues, e kështu me radhë. Kjo është një shumë vërtet e lartë për prindërit e rinj, sidomos kur mbështetja nga shteti nuk është e mjaftueshme dhe jo shumë e madhe”, tha Neda Çallovska Dimovska nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi.

Për nevojat e analizës u anketuan 646 prindër me një pyetësor online dhe u zhvilluan edhe diskutime me katër fokus grupe. Disa nga prindërit deklaruan se komuna e tyre nuk ofron ndihmë të njëhershme për një të porsalindur, ndërsa në disa komuna kjo vlen vetëm për familjet me të ardhura të ulëta.

Por, ajo që pak prindër e dinë është se ata mund të marrin edhe ndihmë të njëhershme nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Bashkëbiseduesja e REL-it thotë se vetë shteti duhet t’i informojë prindërit për këtë të drejtë, të cilën ata mund ta ushtrojnë pavarësisht nga të ardhurat e tyre. Ndihma financiare për fëmijën e parë është 5.000 denarë, ndërsa për të dytin 20.000.

Arsim falas me shpenzime të fshehura në kurriz të prindërve
Analiza bën vërejtje në lidhje me “arsimin falas” në lidhje me të cilin prindërit theksuan një sërë shpenzimesh të fshehura për materialet mësimore, produktet e higjienës, si dhe pajisjet digjitale. Ndërsa para se fëmija të fillojë të shkojë në shkollë, prindërit e tij janë të ngarkuar financiarisht për shkak të mungesës së kapaciteteve në kopshtet publike të fëmijëve.

Për këtë arsye gratë mbeten joaktive në tregun e punës, ndërsa për shkak të mbulimit të kufizuar të fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeçare, më shumë se 75.000 fëmijë në të gjithë vendin nuk mund të përfshihen në arsimin parashkollor shtetëror.

Duke u thirrur në këto të dhëna të cilat paraprakisht i siguroi Enti i Revizionit, Qendra për Barazi dhe Drejtësi rekomandon që shteti ta përmirësojë sistemin e përkujdesjes.

Çallovska-Dimovska thotë se deri sa zgjat ndërtimi i kopshteve të reja për fëmijë autoritetet duhet të ofrojnë mundësi alternative për përkujdesje të fëmijëve.

“Për shembull, individë të mund të regjistrohen dhe të kujdesen për fëmijët në grupe të vogla, gjë që do ta inkurajonte fuqizimin ekonomik të grave. Propozimi ynë prej kohësh është që të zgjidhet problemi i kontratave me afat të caktuar dhe diskriminimi që e vuajnë gratë shtatzëna. Kështu që nuk bëhet fjalë vetëm çështje e rritjes së kompensimit ose ndihmës direkte, por edhe prezantimi i një sërë masash që do t’i inkurajojnë familjet të mos varfërohen sepse kanë fëmijë”, shtoi ajo.

Prindërit që morën pjesë në përgatitjen e analizës reaguan se çmimet e materialeve shkollore këtë vit ishin më të larta se vitin e kaluar. Prandaj, disa prej tyre vendosën t’i blejnë gjërat e nevojshme gradualisht gjatë gjithë vitit.

“Një fletore tani kushton 200 denarë, ndërsa vitin e kaluar ishte 80. Ne blejmë stilolapsa gjatë gjithë kohës, vetëm ato i përdorin”, tha nëna e një nxënësi të shkollës së mesme.

Mungesa e teksteve shkollore është një nga problemet më të shpeshta. Prindërit shpesh detyrohen t’i fotokopjojnë tekstet shkollore, gjë që u shkakton atyre shpenzime shtesë, të cilat me ligj duhet të mbulohen nga shteti. – thuhet në dokument.

Politika të rishikuara për një pasqyrim real të shpenzimeve
Përveç kësaj vihen re edhe praktika të ndryshme në raport me uniformat. Edhe pse ato në disa vende janë të detyrueshme, shpenzimet bien në kurriz të prindërve. Pastaj, shpenzimet rriten edhe me aktivitetet jashtëshkollore që i kanë fëmijët, siç janë aktivitetet sportive, kurset e gjuhës, etj.

Prindërit nga fokus grupi thanë se pjesëmarrja e fëmijëve të tyre në kampet verore dhe dimërore, sidomos ato sportive dhe garuese, është e rëndësishme për zhvillimin personal, por shpesh paraqet një sfidë serioze financiare.

“Kishte gara jashtë vendit, minimum 200 euro vetëm për udhëtim, prandaj e çregjistrova”, tha nëna e një fëmije që ushtron basketboll.

Sipas saj dhe prindërve të tjerë, edhe pse kampet janë të rëndësishme për socializimin, aktivitetin fizik dhe zhvillimin e talenteve, nuk ka mbështetje sistemike ose subvencione, ndërsa fëmijët që nuk mund t’i përballojnë aktivitetet e tilla shpesh ndihen të izoluar nga bashkëmoshatarët e tyre.

Se me rritjen e fëmijëve rriten edhe shpenzimet e tyre konfirmon edhe Marina. M nga Aerodromi i Shkupit, nënë e dy djemve.

“Kur ishin më të vegjël zgjidhja unë se çfarë rrobash t’u blija, tani zgjedhin ata vetë dhe kjo kushton shumë. Përveç veshjes, sa herë që adoleshenti im del në qytet mua më kushton shumë. Krahas detyrimeve dhe nevojave të rregullta, ka edhe mësime private para provimeve, stërvitje sportive, kurse e të ngjashme. Nëse këtyre ua shtoj edhe shpenzimet e paplanifikuara për disa aktivitete shkollore, na del se nuk është aspak e lirë të rritësh një fëmijë në Maqedoni”, thotë Marina.

Sipas saj, ngarkesa financiare ndaj prindërve mund të lehtësohet nëse shkollat ​​do të ofronin vakte falas për fëmijët e tyre.

Pikërisht ky është një nga rekomandimet e Qendrës për Barazi dhe Drejtësi, e cila propozon që për nxënësit e shkollave fillore dhe të shkollave të mesme të ndiqet shembulli i vakteve të subvencionuar të studentëve. Ndër rekomandimet është masa për sport falas dhe mbështetje shtetërore për edukim digjital, sepse nxënësit kanë një nevojë gjithnjë e më të madhe për pajisje digjitale në procesin e të mësuarit.

Në analizën e saj Qendra propozon që vetë shkollat ​​të zhvillojnë programe falas për përkujdesjen ndaj fëmijëve deri në dhjetë vjet “duke pasur parasysh se zgjidhja aktuale me përkujdesjen e tyre në kopshtet e fëmijëve nuk funksionon dhe prindërit janë të ekspozuar ndaj shpenzimeve shtesë për përkujdesjen e fëmijëve ose punës së papaguar nga prindërit ose anëtarët e tjerë të familjes”.

Në një përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës përkujtojnë se me procesin e decentralizimit, që nga viti 2005 shkollat ​​fillore dhe të mesme janë nën juridiksionin e komunave, gjegjësisht të Qytetit të Shkupit.

Edhe pse Ministria i siguron mjetet për financimin e aktiviteteve arsimore përmes buxhetit të shtetit, edhe pushtetet lokale kanë burimet e tyre të mjeteve.

-Me një menaxhim të mirë financiar disa komuna arrijnë të sigurojnë vakte falas për nxënësit deri në një klasë të caktuar, pajisje IT dhe uniforma falas. Përveç kësaj, me rregulloren e MASH-it është përcaktuar që çdo blerje e uniformave shtesë për një nxënës nga prindi nuk duhet të jetë me një çmim më të lartë se çmimi i dakorduar gjatë prokurimit publik, informojnë nga Ministria.

Nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi rekomandojnë që institucionet t’i rishikojnë pragjet për realizimin e të drejtave, në mënyrë që t’i përfshijnë familjet që edhe pse nuk janë nën pragun e varfërisë, sërish përballen me shpenzime të larta dhe të përsëritura të rritjes së një fëmije.

Por, rekomandimet përfshijnë edhe prezantimin e një ndihme universale për fëmijë dhe një vlerësim të “Shportës minimale ër përkujdesjen e një fëmije”.

“Propozimi për një shportë minimale për përkujdesjen për një fëmijë ka për qëllim të përcaktojë një prag bazë të shpenzimeve mujore që lidhen me ushqimin, higjienën, veshmbathjen, kujdesin shëndetësor, nevojat arsimore dhe strehimin e denjë. Përfshirja e strehimit si pjesë e shportës njeh realitetin se një shtëpi e qëndrueshme është një parakusht për zhvillimin e shëndetshëm, të mësuarit dhe mirëqenien psikosociale të fëmijës”, thuhet në analizë.

Shpenzimet për fëmijët me aftësi të kufizuara ose sëmundje kronike – shumë më të larta dhe më të paparashikueshme
Por, Çallovska-Dimovska thekson se përveç kësaj, mbështetja shtesë është shumë e nevojshme për prindërit vetushqyes ose për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar ose me sëmundje kronike. Disa prej tyre kanë përjetuar refuzim nga kopshtet e fëmijëve pa u dhënë një shpjegim, ndërsa në një rast një prind ka qenë i detyruar të paguajë 15.000 denarë në muaj për kujdes privat.

Kësaj i shtohet edhe qasja e kufizuar në shërbimet terapeutike, të cilat për fëmijët me aftësi të kufizuara janë të mëdha dhe të përhershme, por shuma e nevojshme për ta vizituar një logoped, një defektolog ose një fizioterapist në muaj e tejkalon edhe pagën minimale në vend.

Të ngjashme janë edhe përllogaritjet e Koalicionit “Ndryshojmë”, i cili muajin e kaluar paralajmëroi se familjet e personave me aftësi të kufizuara përballen me shpenzime për jetesë që janë shumë më të larta, pra ato janë të paktën 60 përqind më të larta se shpenzimet e familjeve të tjera.

“Këto shpenzime e përcaktojnë mbijetesën, shëndetin, lëvizshmërinë, përfshirjen dhe mundësinë për një jetë dinjitoze” deklaruan nga Koalicioni.

Duke përkujtuar se sipas shportës minimale të konsumit të LSM-së një familje me katër anëtarë ka nevojë për 65.000 denarë për ta kaluar muajin, kjo shumë është dukshëm më e lartë për familjet me persona me aftësi të kufizuara. Në fakt, atyre u duhen njëqind mijë denarë për t’i siguruar kushtet themelore të jetesës, në të cilat do të kenë komoditet, jo luks.

Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë thonë se po i shqyrtojnë rekomandimet për prezantimin e një shtese universale për fëmijë dhe zhvillimin e një “Shporte minimale të përkujdesjes për një fëmijë”.

“Për momentin po kryhen analiza dhe po shqyrtohen modele të ndryshme për përmirësimin e mbështetjes për familjet me fëmijë në përputhje me mundësitë fiskale dhe kornizën ligjore”, thonë nga ministria.

Nga atje shtojnë se ende nuk janë marrë vendime specifike për prezantimin e masave, shumave dhe afateve të reja.

Si ushqimet ashtu edhe pijet joalkoolike janë gjithnjë e më të shtrenjta

Në kohë inflacioni rritja e fëmijëve është një sfidë gjithnjë e më e madhe, e cila i detyron prindërit e rinj të kërkojnë stabilitet më të madh financiar përtej këtyre kufijve.

Kryeministri Hristijan Mickoski me rastin e shënimit të festës “8 Shtatori”, deklaroi se brenda një viti shteti ka humbur mbi 300 studentë.

Ai tha se diskutimet për rrugët, kyçjet rrugore, tatimet dhe pensionet janë të kota nëse ka gjithnjë e më pak njerëz dhe njoftoi ndryshime në sistem që do t’i inkurajojnë të rinjtë të krijojnë familje dhe të besojnë në të ardhmen e tyre në vend.

Nga ana tjetër, Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se inflacioni i matur përmes indeksit të shpenzimeve për jetesë në muajin nëntor krahasuar me muajin tetori është rritur për 0,5 përqind. Nëse bëhet një krahasim me nëntorin e kaluar, këtë vit shpenzimet për jetesë janë rritur për 4 përqind.

Në të njëjtën periudhë çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur për 5,4 përqind. Rritja më e madhe prej 27 përqind është evidentuar tek kafeja, çaji dhe kakao.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit