Integrimi evropian i vendit dhe axhenda e reformave ishin ndër temat që diskutuan ministri i Çështjeve Evropiane dhe zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, si dhe ambasadorja e Republikës së Kroacisë, Nives Tiganj, në takimin e sotëm.
Siç informojnë nga Kabineti i ministrit, në takim u shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për prioritetet që lidhen me Agjendën e Reformave dhe obligimet nga axhenda evropiane.
“Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e përshpejtuar të reformave dhe ofrimin e rezultateve konkrete, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit dhe përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve evropiane. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit, si dhe për nevojën e ruajtjes së momentit pozitiv të integrimit evropian në rajon”, njoftuan nga Kabineti i Salit.
Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme dhe theksoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë me koordinim të përforcuar dhe fokus në prioritetet reformuese, në drejtim të përparimit të procesit të anëtarësimit.



