Inspektime në kantierin e pendës Otinja, Nikolloski: Është realizuar rreth 70% e projektit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, kreu inspektim të punimeve ndërtimore të pendës në lumin Otinja në Shtip.

Gjatë inspektimit në terren, Nikolloski tha se deri më tani janë realizuar rreth 70 për qind e projektit dhe se së shpejti pjesa lindore do ta ketë liqenin e parë artificial rekreativ, i cili njëherit do të jetë edhe një atraksion turistik. Nikolloski u shpreh i kënaqur me dinamikën e paraparë të realizimit të punimeve në terren.

“Ky liqen artificial do të ketë një rëndësi të madhe për zhvillimin e turizmit dhe për gjithë ekonominë lokale. Do të jetë i ngjashëm me Liqenin e Mavrovës dhe do të ndikojë në zhvillimin e të gjithë rajonit, duke përfaqësuar një atraksion kryesor turistik gjatë verës për banorët e pjesës lindore të shtetit, por gjithashtu do të përdoret gjatë gjithë vitit për rekreacion dhe zhvillim të turizmit, duke tërhequr vizitorë dhe, natyrisht, duke hapur vende të reja pune. Liqeni do të shërbejë edhe për ujitje dhe, nëse është e nevojshme, në periudha të caktuara kritike edhe për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski

Kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov tha se projekti në fjalë është në fazë të avancuar dhe vlerësoi se së bashku me projektet e tjera që po realizohen përmes Ministrisë së Transportit, do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin e këtij qyteti dhe do ta ndryshojnë atë si në aspektin vizual, ashtu edhe në atë funksional.

“Nga ajo që patëm mundësi të shohim sot, besoj se Shtipi do të vazhdojë të zhvillohet me një dinamikë të përforcuar, ndërsa do të zhvillohet edhe i gjithë Lindja. Presim që në ardhjen e radhës të mbushet pasqyra ujore, që është qëllimi ynë përfundimtar, ndërsa njëkohësisht me Ministrinë do të planifikojmë aktivitetet e tjera këtu, të cilat do të krijojnë zhvillim në qytetin tonë”, theksoi kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov.

Realizimi i deritanishëm i projektit është mbi 70 për qind, për çka janë investuar 7 milionë euro. Mbetet edhe një buxhet prej një milion eurosh që penda të përfundojë plotësisht. Pritjet janë që deri në pranverën e vitit 2028 të vihet plotësisht në funksion penda e re e lumit Otinja, tha me këtë rast Nikolloski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit