A do të ulen përkrah njëri-tjetrit Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani për të parë ndeshjen Shqipëri–Serbi?
Kjo ishte pyetja që u ngrit nga media Ora24, nëse të dy kandidatët për Çairin do të jenë të pranishëm me forumet e tyre rinore për të ndjekur sfidën e rëndësishme futbollistike. Por përgjigjet e tyre treguan se, përtej sportit, linjat e përplasjes politike janë të qarta dhe të thella.
I pyetur për mundësinë që ta ndjekë ndeshjen së bashku me kundërshtarin e tij politik, një deklaratë me tone të qeta, por jo pa nuanca thumbuese, Izet Mexhiti tha:
“Në Çair ka përplasje idesh dhe programesh. Secili kandidat përpiqet të japë më të mirën për qytetarët. Kjo nuk është gjë e keqe, përkundrazi. Sa i përket ndeshjes, unë do jem aty, me kënaqësi, për Shqipërinë. Edhe kundërkandidati besoj se është ndarë nga Open Balkani, ndaj besoj se mund të jemi bashkë – për të njëjtin ekip këtë herë.”
Por kur e njëjta pyetje iu drejtua Bujar Osmanit, ai nuk zgjodhi të përgjigjet me të njëjtën lehtësi:
“Në këto zgjedhje ka një kontrast të qartë mes kandidatëve. Unë nuk mund ta paraqes këtë fushatë si diçka normale. Dëmi që i është bërë Çairit për 20 vite dhe popullit shqiptar për 15 muaj nuk është lojë. Marrëveshja e Ohrit është çështje gjaku e sakrifice, e sot po shitet çdo ditë si me qira. Nuk mund të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë. Kjo nuk është një ndeshje futbolli, është një referendum. Më 19 tetor, ne përballemi me një oligarki që ka kapur komunën dhe kombin.”
Megjithatë, edhe ai shtoi se do të jetë aty për Shqipërinë, por jo për ta relativizuar betejën politike.
“Po, do bëj tifo për Shqipërinë, por nuk do lejoj që fushata të shndërrohet në lojë futbolli.”
Pirtet që të dy kandidatët pë Komunën e Çairit të jenë të pranishëm me forumet e tyre rinore për të ndjekur ndeshjen. Por nëse do të ndajnë tribunën apo thjesht do të jenë fizikisht në të njëjtin vend, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që është e qartë: edhe kur flasin për futboll, në Çair nuk ka gola të lehtë.