Inflacioni në vend vazhdon të mos zbresë nën nivelin prej 4%. Enti Shtetëror i Statistikave mat se në nëntor shpenzimet për jetesë kanë qenë 4% më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur me 3%, përcjell TV21. Vetëm brenda një muaji, nga tetori në nëntor, inflacioni është rritur me 0.5%. Grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënon rritjen më të theksuar.
Nëntorin e këtij viti, çmimet janë rritur me 5.4% në krahasim me një vit më parë. Frutat janë shtrenjtuar me 18%, ndërsa mishi, vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë çmime mbi 7% më të larta. Rritja më drastike vërehet te produktet që varen nga bursat botërore – kafja, çaji dhe kakaoja – të cilat janë rritur me 27%.






