Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes futbollistike mes KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep, duke theksuar se MPB-ja ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.
“Pas përfundimit të ndeshjes, policia ka identifikuar dhe ndaluar personin që shkaktoi incidentin në dhomën e zhveshjes së ekipit mysafir, ndërsa ndaj të tjerëve që kanë marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme janë ndërmarrë procedurat përkatëse në bashkëpunim me organet kompetente”, ka deklaruar Iseni.
Ai ka bërë të ditur se janë iniciuar edhe masa disiplinore ndaj pjesëtarëve të policisë që nuk kanë reaguar me kohë, duke theksuar se përgjegjësia në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike është e pandashme.
“Dua të siguroj se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Institucionet do të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur rendin publik dhe për të garantuar sigurinë e secilit qytetar, pa dallim. Dhuna nuk ka vend në sport”, përfundoi zëvendësministri Iseni.





