Vardari sot mposhti Bashkimin 1947 me rezultat 1-0, por në ndeshje pati edhe incidente. Referi Benjamin Kerimi ndëshkoi me karton të kuq futbollistin e Bashkimit, Rexhep Muratin, pas së cilës pasoi një përleshje mes futbollistëve të të dyja ekipeve.
Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë dolën me reagim, duke thënë se futbollisti e kishte pështyrë gjyqtarin, ndërsa sipas tyre FK Bashkimit mund në çdo kohë të vizitojë qendrën e VAR-it në FFM, të shikojë materialin video dhe të dëgjojë të gjithë komunikimin ndërmjet gjyqtarit kryesor dhe lojtarit të përjashtuar, si dhe komunikimin mes gjyqtarëve.
“Lidhur me ndeshjen e sotme të javës së 19-të në Ligën e Parë të Maqedonisë ndërmjet FK Vardarit dhe FK Bashkimit, në minutën e 87-të u akordua karton i kuq direkt për lojtarin me nr. 3 të ekipit mysafir për shkak të pështyrjes ndaj gjyqtarit. Gjyqtari kryesor ndodhej në një distancë rreth një metër nga ngjarja, e vërejti qartë pështyrjen dhe pa hezitim tregoi me të drejtë karton të kuq direkt. Ky veprim tejet josportiv u konfirmua edhe nga gjyqtarët e VAR-it, në bazë të provave të qarta video nga momenti i incidentit. Më pas, personi zyrtar i përjashtuar më herët nga stoli i FK Bashkimit hyri në mënyrë të palejuar në fushën e lojës, duke provokuar dhe nisur përballje me lojtarin aktiv të FK Vardarit, Boban Nikollov. Një sjellje e tillë është krejtësisht josportive dhe e palejueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se personi ishte përjashtuar në pjesën e parë dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të hynte në fushë. Shkaku i përballjes dhe i përjashtimit rrjedh ekskluzivisht nga sjellja e palejueshme e lojtarit me nr. 3, i cili pështyu drejt gjyqtarit, si dhe nga hyrja e palejuar në fushë e personit zyrtar të përjashtuar, i cili nisi përballjen me lojtarin e FK Vardarit, Boban Nikollov, i cili më pas me të drejtë u ndëshkua disiplinarisht me karton të verdhë”, thonë nga FFM.
Pas këtij reagimi, erdhi edhe reagimi i ekipit nga Kumanova, të cilët thonë se pika e bardhë që është paraqitur si pështymë në video, është pjesë e palltos të një tifozi në tribunë.
“FFM-ja me shpejtësi të dritës paska reaguar në mbrojtje të referit Benjamin Kerimi, referit kryesor të ndeshjes KF VARDAR – KF BASHKIMI 1947! Falemnderojmë nga zemra FFM-në për publikimin e videos ku qëllimi kryesor është arsyetimin e vendimit te referit për ndëshkimin e Rexhep Murati me karton të kuq, ku në mënyrë flagrante shihet gënjeshtra dhe tendeca e qëllimshme e referit Benjamin Benoo për ta përjashtuar lojtarin e U21 të Maqedonisë! SHIKONI VIDEON E FFM-së. Sekondi i 4 dhe 5 rrethohet “pështyma fantazmë” e lojtarit tonë dhe ÇUDITSHMËRISHT pështyma mbetet ende në ajr edhe pas shumë sekondave (sekonda 7,8,9 e videos)”, thonë nga FC Bashkimi.
Ndryshe, në ndeshje kishte edhe incidente të tjera, gjegjësisht gjuhës të urrejtjes në tribuna, kur në disa momente u regjistruan thirrje anti-shqiptare. Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, shihet se ka pasur konfrontim edhe mes policisë dhe një pjese të zyrtarëve të Bashkimit.



