I shpëtoi kancerit, por thotë se gabimet mjekësore e bënë invalid

Tetovë, 14 shkurt – Tetovari Sllobodan Angellkovski për Tetova Info rrëfeu rrugën e tij të vështirë drejt përmirësimit të shëndetit, për të cilën thotë se do të kishte qenë shumë më e lehtë nëse nuk do të ishin bërë gabime mjekësore. Në vitin 2024 atij iu diagnostikua kancer i zorrës së trashë. Pasuan kimioterapia dhe tri operacione. Ai u shpëtua nga sëmundja më e rëndë, por beson se për shkak të vlerësimeve të gabuara për operacionet, sot ka pasoja të përhershme shëndetësore.

“Në Klinikën e Onkologjisë në Shkup më caktuan 28 ditë rrezatim dhe kimioterapi me citostatikë. Pasi përfundova me rrezatimin dhe ndaloi gjakderdhja për disa ditë, onkologu më tha të konsultohem me kirurg për të parë nëse duhet të hiqet tumori nga zorra e trashë”, thotë Sllobodani, i lindur në vitin 1976.

Më pas iu bënë tomografi kompjuterike dhe kolonoskopi në Spitalin Klinik të Tetovës.

“Kolonoskopia tregoi se tumori ndodhej në zorrën e trashë. Një mjek në Spitalin Klinik të Tetovës më tha se nevojitej operacion urgjent dhe se do të hiqej pjesa e prekur e zorrës së trashë me tumorin. Më tha se 90% e zorrës së trashë do të funksiononte normalisht dhe se nuk do të kishte nevojë për qese për jashtëqitje. Sipas tij, pas heqjes së tumorit, zorra e trashë do të lidhej me zorrën e hollë me lazer. Më tha se nëse zorrët nuk përputhen, atëherë vendoset qese për jashtëqitje”, rrëfen Sllobodani.

Operacioni u krye më 30 dhjetor 2024. Sipas tij, gjatë operacionit iu bë kolostomi, ku një pjesë e shëndetshme e zorrës së trashë nxirret nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale dhe fiksohet në murin e barkut, në mënyrë që jashtëqitja të përfundojë në një qese.

“Edhe pse në kolonoskopi u konstatua se nuk ka tumor në rektum, gjatë operacionit më është amputuar rektumi pa pëlqimin tim apo të familjes sime. Po ashtu, më është bërë kolostomi. Pas operacionit pata dy muaj dhimbje, të vjella dhe ngatërrim të zorrëve, me ndërhyrje të shpeshta nga Ndihma e Shpejtë. Mendoj se gjatë operacionit është bërë gabim në sistemin tretës, sepse që atëherë kam probleme edhe me prostatën, me urinim të çrregullt dhe funksione të tjera. Kirurgu që më operoi fillimisht më këshilloi të gjej zgjidhje në Shkup, por pas dy muajsh pranoi të më operojë sërish për të parë ku ishte problemi”, thotë Angellkovski.

Më 24 shkurt 2025, në Spitalin Klinik të Tetovës u krye operacioni i dytë.

“Me operacionin e dytë më vendosën edhe një qese tjetër për shkak të ileostomisë (zorrës së hollë). Pas kësaj ndërhyrjeje qëndrova një muaj në dhomën e shokut dhe humba 40 kilogramë. Plaga kirurgjikale vazhdimisht nxjerr sekrecion dhe gjakoset. Edhe pse mjeku më tha se plaga do të mbyllej për gjashtë muaj dhe se do të mund të hiqej ileostomia, kjo nuk ndodhi. Kaluan më shumë se gjashtë muaj dhe në muajin e tetë mjeku më tha të gjej zgjidhje vetë dhe ndërpreu komunikimin”, thotë ai.

Në tetor 2025, në një spital në Shkup iu krye operacioni i tretë. Atje u bë ndërhyrje për lidhjen e zorrës së hollë me atë të trashë dhe u hoq ileostomia. Megjithatë, plaga në bark ende nuk është shëruar. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai u shpall 91% person me aftësi të kufizuara dhe i paaftë për punë, duke fituar pension invalidor para se të mbushte 50 vjet.

“Problemi kryesor është se në vend që qesja e kolostomisë të mbushet një ose dy herë në ditë, ajo mbushet gjashtë ose shtatë herë. Praktikisht nuk mund të shërohem, çfarëdo që ha del në qese. Nga 100 kilogramë, kam rënë në 60”, thotë Sllobodani.

Për pretendimet e tij, u kërkua përgjigje nga Spitali Klinik i Tetovës.

“Pretendimet e Sllobodan Angellkovskit janë ende në fazë verifikimi dhe konstatimi të fakteve, në procedura pranë organeve kompetente të përcaktuara me ligj. Pas marrjes së konstatimeve përfundimtare dhe përfundimit të procedurave të nevojshme për verifikimin e këtyre pretendimeve, ISHP Spitali Klinik i Tetovës do të marrë qëndrim dhe do ta bëjë publik”, thuhet në përgjigjen e spitalit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit