Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Teatri Kombëtar i Kosovës ka përkujtuar figurën e Hyrije Hana – aktore, aktiviste dhe simbol i rezistencës së grave shqiptare.
Jeta e saj u zhvillua mes teatrit dhe përndjekjes, mes skenës dhe burgut. Hyrije Hana ishte ndër aktoret e para që u ngjitën në skenë që nga themelimi i Teatrit Krahinor në Prishtinë, së bashku me Meribane Shala dhe Katerina Josipin, shkruan KultPlus.
Ajo ishte gjithashtu folësja e parë e radios së sapohapur në Prizren në vitin 1945, ndërsa një vit më pas punoi edhe në Radio Prishtina. Gjatë karrierës së saj teatrore interpretoi role të rëndësishme, ndër to “E shoqja e Hasan Agës”, Vahidja në dramën Besa të Sami Frashëri, si dhe rolin e nënës në dramën “Koshtana”.
“Kur më futën në burg, unë këndoja”, kujtonte ajo për periudhën e vështirë të jetës së saj.
E përndjekur për vite nga shërbimi sekret serb për bindjet e saj ideologjike, Hyrije Hana mbeti e palëkundur në dashurinë për artin dhe lirinë. Që nga themelimi i trupës së teatrit në vitin 1948, ajo u bë një nga shtyllat e para të skenës teatrore shqiptare në Kosovë, duke sjellë role që kujtohen për guximin dhe përkushtimin e saj.
Historia e saj mbetet një dëshmi e sakrificës, rezistencës dhe artit – një kujtesë se skena nuk është vetëm vend interpretimi, por edhe hapësirë e lirisë dhe dinjitetit./KultPlus.com




