Hoxha në pyetjet e opozitës në Kuvend: zgjidhje të qëndrueshme dhe kthesë e gjelbër në trajtimin e mbeturinave, ujërave dhe ndotjes së ajrit

 

 

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në seancën e pyetjeve të opozitës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me menaxhimin e mbeturinave, ministri Hoxha theksoi se sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave është në fokus të punës së tij. Ai para deputetëve tha se bëhet fjalë për një strategji jashtëzakonisht të rëndësishme që më në fund po realizohet dhe nuk është më vetëm një dokument në letër, por po zbatohet aktivisht në terren.

 

Deponitë ilegale, si dhe ato me funksionim të dobët apo jofunksionale, po bëhen pjesë e së kaluarës përmes këtij transformimi të plotë në mënyrën e trajtimit të problemit të mbeturinave. Kjo shihet edhe me fillimin e ndërtimit të infrastrukturës dhe sigurimin e pajisjeve për tre qendrat rajonale në Rusino, Novaci të Manastirit si dhe komunën Sveti Nikole.

 

Në lidhje me ndotjen e ajrit si një nga sfidat më serioze, ministri Hoxha theksoi se fokusi është vendosur te industria dhe institucionet, pasi përgjegjësia dhe shembulli duhet të jenë më të forta pikërisht aty.

 

Me Ligjin e ri për emetimet industriale, i cili hyn në fuqi në vitin 2027, si dhe me debatin publik të paralajmëruar për lejen e re të USJE-së, po punohet për ndërtimin e besimit të qytetarëve përmes dialogut të hapur, me fakte dhe mbështetje ekspertësh.

 

Në 21 objekte shtetërore tashmë është bërë kalimi në mënyra ekologjike të ngrohjes. Këto janë pjesë e rreth 70 objekteve në gjithë vendin që përfshihen në këtë projekt të Ministrisë së Mjedisit.

 

Sa i përket masave për amvisëritë, aktualisht po shpërndahen vauçerë për inverterë nga Ministria e Energjetikës, një masë që do të bëjë që 4300 familje të ndotin më pak duke ndryshuar mënyrën e ngrohjes së shtëpive të tyre.

 

Ministri Hoxha iu përgjigj edhe një pyetjeje lidhur me ujërat, duke theksuar se menaxhimi i ujërave nuk është vetëm çështje teknike, por edhe strategjike. Ai theksoi se po përmirësohet në mënyrë sistematike përmes reformave, investimeve dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.

 

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e vendos politikën në sektorin e ujërave si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Gjatë periudhës së kaluar janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm përpara, të cilët konfirmojnë përkushtimin për harmonizim me legjislacionin evropian dhe për krijimin e një sistemi modern të menaxhimit të ujërave.

 

Këto procese nuk janë vetëm deklarative, por mbështeten me masa konkrete, investime dhe partneritete me institucione ndërkombëtare, duke ndjekur një qasje sistematike dhe të përgjegjshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit