Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Meidani.
Ministri Hoxha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë rajonal për zbatimin e politikave të gjelbra dhe arritjen e standardeve evropiane.
Në fokus të veçantë ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira në procesin e harmonizimit me politikat e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit, si dhe mundësitë për iniciativa të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në të dyja vendet.
Ambasadori Meidani shprehu gatishmërinë e Republikës së Shqipërisë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me institucionet e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e koordinimit rajonal në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe procesit të integrimit evropian.
Bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin e përbashkët për dialog të vazhdueshëm, partneritet të sinqertë dhe bashkëpunim konkret në projekte dhe iniciativa që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe forcimin e stabilitetit dhe zhvillimit rajonal.



