Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot nga Novaci njoftoi se menaxhimi i mbetjeve dhe reduktimi i ndotjes së ajrit janë ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij. Në këtë drejtim, sot filloi zbatimi i modelit rajonal për menaxhimin e mbetjeve, me një investim prej rreth 11 milionë eurosh në paisje për seleksionim dhe transport.
“Projekti do të përfshijë mbi 400,000 qytetarë nga 18 komuna në rajonin e Pellagonisë dhe rajonin Jugperëndimor dhe është i lidhur drejtëpërdrejt me qendrën e ardhshme rajonale për menaxhimin e mbetjeve në Novaci, si dhe me stacionet e transferimit në Prilep, Ohër, Kërçovë dhe Dibër”, deklaroi Hoxha, duke shtuar se viti 2026 do të jetë vendimtar për vendosjen e infrastrukturës bazë.
Ministri Hoxha njoftoi se janë duke u zhvilluar përgatitjet për një procedurë publike për deponinë rajonale për rajonin e Pellagonisë dhe rajonin Jugperëndimor, e cila pritet të realizohet brenda një afati prej gjashtë muajsh.
“Në mënyrë paralele, po finalizohet procedura për deponinë në rajonin e Pollogut në Rusino, është shpallur edhe një thirrje publike për deponinë në Sveti Nikollë, e cila do të përfshijë rajonin Verilindor dhe Lindor”, tha Hoxha.
Në ngjarjen e mbajtur në Manastir, ku mori pjesë edhe kryeministri i Qeverisë, Hristijan Mickoski, ministri Hoxha deklaroi se me fillim e ndërtimit të tre deponive rajonale të mbeturinave në vitin 2026, shteti hyn në një epokë të re të menaxhimit modern, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane të mbetjeve.
Мinistri shprehu mirënjohje ndaj BERZH-it, SECO-s, Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Qeverinë e Suedisë, përmes të cilëve janë siguruar rreth 90 milionë euro për ndërtimin e këtyre qendrave, si dhe ndaj njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike komunale, duke bërë një apel për bashkëpunim të gjerë me të gjithë palët e interesuara në vend për një mjedis jetësor më të pastër dhe më të shëndetshëm.



