Shkup, 18 shkurt – Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha në një intervistë për Radio Shkupin ka thënë se Ligji për prodhimet organike është në harmonizim të plotë me rregullativën e BE-së dhe se me këtë synohet ruajtja e biodiversitetit dhe promovimi i një bujqësie të qëndrueshme.
Ai thotë se ligji pritet të marrë dritë jeshile nesër në Komision parlamentar. Më vjen mirë shton Hoxha, që dje në Komisionet parlamentare u përkrah dhe pati fjalë të mira nga gjithë deputetët, pozitë dhe opozitë, pasi rëndësia e këtij ligji shkon jashtë interesave partiake.
Në hap me vendet e rajonit
“Përveç harmonizimit me BE-në do të duhet të jemi në hap edhe me vendet e rajonit. Shqipëria e ka votuar këtë para dy vitesh, Bosnja është me ne, Kosova është ndoshta pas nesh. Ka pasur ndihmë të fuqishme për Shqipërinë me votimin e këtij ligji. Është në tërësi i harmonizuar dhe në koordinim të vazhdueshëm me miqtë tanë të BE-së”, ka thënë Hoxha.
Me këtë ligj, sipas Hoxhës, madje pritet një rritje e ndjeshme e prodhimit organik.
”Kemi potencial të bëhemi eksportues i rëndësishëm i prodhimeve organike. Me sjelljen e ligjit rritet në esencë zinxhiri i prodhimit, forcojmë kapacitet institucionale dhe është shumë i rëndësishëm, sepse me këtë do të rritet konkurrueshmëria dhe në vend dhe në rrafsh ndërkombëtar”, tha ai.
Interesim nga të rinjtë për t’u marrë me bujqësi
Ai ka folur edhe për të rinjtë dhe rolin e grave në sektorin e bujqësisë.
“Në këtë periudhë rreth 7,8 muaj nga afër kam parë bujkun në zonat që kam vizituar, ka interes te të rinjtë që të merren me bujqësi, aplikojnë të këto programe dhe ato IPARD dhe kanë ftuar grante. Kam hasur edhe në zonja dhe zonjusha, për t’u bërë pjesë e një biznesi familjar të fokusuar dhe të përkushtuar në fermat e tyre. Duhet ta ndryshojmë qasjen dhe mendësinë, se bujqësia nuk është diçka e ndotur apo e pistë, është punë e ndershme”, ka thënë ai.
Hoxha ka nënvizuar se ka pasur mungesë të informacionit dhe edukimit të bujqve, prandaj kemi paraparë, siç shton, “programe të veçanta, trajnime, edukim dhe ngritje të vetëdijes tek bujqit”.



