Tiranë – Sot, në Pallatin e Kongreseve, zhvillohen homazhet publike në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta më 31 tetor 2025, në moshën 73-vjeçare.
Ceremonia mortore ka mbledhur personalitete të larta të politikës shqiptare, përfaqësues të institucioneve shtetërore, diplomatë dhe qytetarë të shumtë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej figurave më me ndikim të tranzicionit politik shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, homazhet publike zhvillohen nga ora 08:30 deri në 11:00, ndërsa nga 11:15 deri në 11:45 mbahen homazhet shtetërore ku pritet të marrin pjesë krerët e institucioneve të larta të shtetit. Ceremonia shtetërore e varrimit do të fillojë në orën 12:05.
Në nder të Fatos Nanos, Qeveria e Shqipërisë ka shpallur të dielën, 2 nëntor 2025, ditë zie kombëtare, ku flamujt kombëtarë në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore do të ulen në gjysmë shtize, ndërsa në mesditë do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Fatos Nano ka qenë një nga figurat kyçe të politikës shqiptare pas viteve ’90, themelues dhe kryetar historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si dhe kryeministër në disa mandate – në vitet 1991, 1997–1998 dhe 2002–2005. Ai ka lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në jetën politike dhe publike të vendit.
Homazhet e sotme në Pallatin e Kongreseve përbëjnë një moment reflektimi për rolin e tij në ndërtimin e shtetit modern shqiptar dhe në proceset demokratike që pasuan rënien e komunizmit.





