Holanda është zgjedhur vendi më i sigurt për t’u vizituar në vitin 2026, sipas raportit vjetor të kompanisë së sigurimeve “Berkshire Hathaway Travel Protection” (BHTP), e cila çdo vit vlerëson destinacionet më të sigurta për udhëtarët në mbarë botën.
Raporti bazohet në anketa të udhëtarëve nga e gjithë bota veçanërisht grave, personave LGBTQ+ dhe grupeve të tjera të margjinalizuara si dhe në të dhënat e Global Peace Index dhe indekse të tjera ndërkombëtare të sigurisë.
Rritja e jashtëzakonshme e Holandës në listë
Holanda ka bërë një kërcim të madh nga vendi i 14-të vitin e kaluar, duke u ngjitur direkt në krye të listës. Sipas BHTP, arsyeja kryesore lidhet me ndjenjën e përgjithshme të pritjes dhe sigurisë që vendi ofron për të gjithë vizitorët.
“Është një vend që dashuron paqen. Gratë dhe grupet e margjinalizuara raportuan se u ndien shumë të mirëpritura, ndërsa masat shëndetësore dhe infrastruktura cilësore morën vlerësime të larta,” thuhet në raport.
Sipas kompanisë, shqetësimi më i madh që mund të ketë një turist në Holandë është ndonjë çiklist i pakujdesshëm apo turist i zhurmshëm nëpër rrugë.
Australia ruan vendin e dytë
Në vend të dytë renditet Australia, e cila ka ruajtur pozicionin nga viti i kaluar. Ajo njihet për sistem të rregullt politik, kujdes shëndetësor të nivelit të lartë dhe rrezik shumë të ulët nga aktivitetet terroriste.
Sipas ekspertëve, siguria e lartë është rezultat i:
nivelit të ulët të krimit,
ligjeve të forta të kontrollit të armëve,
sistemeve të avancuara të bio-sigurisë.
Top 15 vendet më të sigurta për të udhëtuar në vitin 2026, sipas BHTP:
Holanda
Australia
Austria
Islanda
Kanada
Zelanda e Re
Emiratet e Bashkuara Arabe
Zvicra
Japonia
Irlanda
Belgjika
Portugalia
Franca
Mbretëria e Bashkuar
Danimarka
Raporti i këtij viti tregon një zhvendosje të dukshme të vëmendjes drejt vendeve me stabilitet të fortë social, sisteme të mira shëndetësore dhe standarde të larta mirëqenieje, duke e bërë Europën dhe Oqeaninë liderët globalë të sigurisë për udhëtarët./KultPlus.com





