Deputeti Bekim Qoku ka bërë të ditur se sot, në Këshillin e Evropës në Strasburg, u vulos një kapitull i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, me përfundimin zyrtar të dialogut të pas-monitorimit.
Sipas Qokut, ky zhvillim konfirmon se Maqedonia e Veriut është pjesë e pandashme e Evropës demokratike dhe se përkushtimi ndaj reformave institucionale po jep rezultate konkrete dhe të prekshme.
“Si vendi i parë nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që e përmbyll këtë proces, përparimi ynë duhet të shërbejë si inkurajim për të gjithë rajonin dhe jo si përjashtim”, thekson Qoku, duke shtuar se stabiliteti dhe demokracia në Evropë varen nga avancimi i vazhdueshëm i Ballkanit Perëndimor.
Ai bëri të ditur se pati nderin t’i drejtohej Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku shprehu falënderim të veçantë për raportuesit, znj. Sibel Arslan dhe z. Joseph O’Reilly, për raportin e tyre të detajuar, të balancuar dhe konstruktiv.
Qoku vlerësoi se ky sukses nuk është vetëm i Maqedonisë së Veriut, por përfaqëson një mesazh të fuqishëm shprese dhe progresi për gjithë Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Në shënimin e këtij momenti të rëndësishëm në Strasburg, pjesë e delegacionit të Maqedonisë së Veriut ishin edhe Ivanka Vasilevska, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, si dhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut pranë Këshillit të Evropës, Svetlana Geleva.
https://www.facebook.com/share/17Zzzci89G/



