23.8 C
Skopje
Thursday, September 18, 2025

Himni për lumturinë i Henry Millerit

Shkruan: Enrico Franceschini

Për ata që e censuronin ishte “një pus i zi”. Por përtej skenave erotike, romani parizien i shkrimtarit amerikan ishte një himn për lumturinë, atë të të shkruarit dhe jetuarit. Edhe pa asnjë dyshkë në xhep.

“Nuk kam para, as burime, as shpresa. Jam njeriu më i lumtur në botë”. Do të mjaftonte kjo frazë për të më bërë të rilexoja Tropikun e Gaforres, romanin e mallkuar me të cilin Henry Milleri zbuloi talentin e tij. Ta lexosh në një kohë kur shumë njerëz gjenden pa para, burime dhe shpresa, mund të të japë pakëz optimizëm më shumë për të përballuar pandeminë që ka tronditur ekzistencën tonë. Por nuk është e vetmja arsye e mirë, për t’u zhytur në kryeveprën e shkrimtarit amerikan.

Arsyen më të rëndësishme e shpjegonte më mirë nga të gjithë George Orwell në hyrjen e romanit, botuar për herë të parë në vitin 1934 dhe si pasojë, nënshtruar shumë censurave: “Lexoni pesë faqe, më tej dhjetë faqe, dhe do të ndjeni lehtësimin e veçantë jo aq shumë që e kuptoni, por që jeni të kuptuar. Ky njeri di gjithçka për mua, e ka shkruar këtë posaçërisht për mua”. Samuel Beckett e quajti “një ngjarje madhështore në historinë e letrave moderne”. Michael Musmanno, president i Gjykatës së Lartë të Pensilvanisë, pas një prej proceseve të shumta për vepra të turpshme, dha një gjykim pakëz të ndryshëm: “Nuk është një libër. Eshtë një pus i zi, një gjiriz në qiell të hapur, një pus që qelbet erë. Një tërësi e gjithçkaje që e ka vendin në koshin e plehërave të deprivimeve njerëzore”.

Duhet pranuar se Tropiku i Gaforres nuk është një roman tradicional. E sugjeron vetë epigrafi që ka zgjedhur autori, i marrë nga Ralph Waldo Emerson: “E më pas, pak e nga pak, romanet ua lanë vendin ditarëve, biografive; librave imponues, mjafton që kush i shkruan të dijë të zgjedhë mes atyre që i quan eksperiencat e veta, atë që me të vërtetë është ekspepriencë dhe mënyrën për të rrëfyer realisht të vërtetën”. Miller e shkruajti në vitin 1933, kur ishte 42 vjeç dhe jetonte në Paris. Eshtë historia e një grupi emigrantësh amerikanë dhe të kombësive të tjera, një bandë dështakësh, ëndërrimtarësh, të marrësh, të interesuar për artin në të gjitha format e veta dhe seksit të pastër në të gjitha format e veta, gjithmonë pa asnjë dyshkë në xhep, në kërkim të një vendi për të fjetur dhe një vakti për të ngrënë. E megjithatë, ose pikërisht prej kësaj, është një himn për jetën, një karusel i gëzueshëm, i shpenguar mes prostitutash, princesash të rëna vakti, të dehurish. Dhe është leksioni se për të shkruar nuk ka nevojë të kesh përreth kritikë, botues, sallone letrare: mjafton të duash ta bësh dhe ta bësh.

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit