Hill për komunikatat e UÇK-së: S’e di kush i lëshonte, s’i merrnim si bazë
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill foli në Hagë për komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tha se nuk e di se nga kush janë lëshuar ato dhe për çfarë arsyesh.
Sipas dëshmitarit, këto komunikata nuk mund t’i përdornin për të përcaktuar se ekzistonte një strukturë vertikale organizative e UÇK-së.
“Këto ishin shumë të mjegullta për ne sepse ne nuk e dinim se kush i lëshonte këto komunikata. A ishin çështje sigurie që nxirreshin apo vërtetë nuk ekzistonte një strukturë që të besonim edhe ne. Prandaj, ne nuk mund t’i përdornim këto komunikata si bazë për të përcaktuar një strukturë vertikale organizative të UÇK-së”, tha dëshmitari Christopher Hill.
Dëshmitari po ashtu theksoi se kishte mësuar për Drejtorinë Politike dhe se pjesë e saj ishte Hashim Thaçi. Tha se nuk ka dijeni se si e mësoi këtë fakt, por që e dinte se duhej të kontaktohej ky person.
Ai shtoi se nuk ka dëgjuar ndonjëherë që kjo Drejtori ishte e Shtabit të Përgjithshëm ose që ka drejtuar ndonjë gjë./Betimipërdrejtësi
Hill: Krasniqi ishte zëdhënës, ai i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së
Në Dhomat e Specializura të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të tretën ditë po vazhdon dëshminë ish-diplomati amerikan, Christopher Hill në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hill deklaroi të mërkurën se zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte Jakup Krasniqi, e i cili i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së.
Pyetjet për Hillin në këtë seancë i ka filluar tupi gjykues, specifikasht gjyqtari Guénaël Mettraux.
Dëshmitari Hill deklaroi se UÇK-ja kishte qëllime politike që synonte t’i realizonte dhe një prej tyre ishte pavarësia. Tha se ka logjikë të thuhet se për t’i realizuar këto qëllime politike, duhet të ishte dikush përgjegjës.
“Unë mendoj që zoti Krasniqi është shpallur publikisht si zëdhënës i UÇK-së. Pra, ai ishte personi që i bënte të ditura qëllimet”, tha dëshmitari.
Trupi gjykues dha një urdhër me gojë për pranimin në prova materiale të një intervistë me Wolfgang Petritsch që është marrë nga një libër.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, ky material nuk duhet të pranohet nga kjo intervistë ngase del një pretendim i ri në thelb dhe pretendimi ose akuza është në kundërshtim me argumentet e ZPS-së dhe veçanërisht është në kundërshtim edhe me një material specifik të Prokurorisë.
Mbrojtja kishte pretenduar se nuk janë njoftuar me kohë dhe sipas tyre, Prokuroria në këtë fazë të procesit nuk duhet të dalë me një argument të ri që është në kundërshtim me argumentet e tyre të mëparshme.
Në anën tjetër, Prokuroria ishte përgjigjur se kundërshtimi ishte i pabazë dhe se Hill e trajtoi çështjen e shkëmbimit të të burgosurve duke treguar se edhe cili prej të akuzuarve ka marrë pjesë në këto takime.
Ndërsa, trupi gjykues hodhi poshtë kundërshtimin e mbrojtjes dhe e pranoi këtë material në prova materiale./Betimipërdrejtësi
Hill vazhdon edhe sot dëshminë në Hagë
Ish-diplomati amerikan Christopher Hill vazhdon sot ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.
Gjatë ditë se djeshme ish-diplomati amerikan, Christopher Hill iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Luka Misetiq. Hill tha se duke ditur se Thaçi po qëndron në burg për akuzat për krime lufte e ndjeu që të thotë atë që di për atë periudhë. Shtoi se nuk ka dëgjuar që atë kohë Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprimtari të paligjshme.
I pyetur nëse kishte komunikuar me ish-presidentin Thaçi në kohën e bombardimeve të NATO-s, Hill mohoi këtë. Por shtoi se gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd pa dëshirën e tij.
Në pyetjen e mbrojtësit të Thaçit se a iu kishte kërkuar që të intervistohet nga prokurorët apo edhe avokatët e mbrojtjes për çështje të krimeve të luftës, ish-diplomati amerikan tha se gjatë periudhës 2002-2003 derisa ishte duke shërbyer si ambasador në Poloni i ishte kërkuar një gjë e tillë, por ai kishte kërkuar që të vazhdonte funksionet e tij aktuale që i kishte.
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill dëshminë e tij para gjykatores në Hagë e nisi të hënën ku tregoi se si kishte nisur të mirrej me çështjen e Kosovës. Ai tha se kjo ishte kërkesë e ish sekretares amerikane, Madeline Albright që ia bëri atij në atë kohë.
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.





