8.8 C
Skopje
Wednesday, October 29, 2025

“Higjiena Komunale” mbetet pa drejtues, Rustemi nga Burgu i Shutkës jep dorëheqje/ Arsovska nuk ofron zgjidhje

Higjiena Komunale e Shkupit ka mbetur pa drejtor. Pas caktimit të masës së paraburgimit, drejtori Sabahudin Rustemi ka dhënë dorëheqje për arsye morale. Sipas avokatit të tij, dorëheqjen e ka deklaruar gjatë ditës së djeshme para gjykatësit të procedurës paraprake, ndërsa sot prej Burgut të Shutkës, nëpërmjet Gjykatës Penale do ta dorëzojë me shkrim në administratën e Qytetit të Shkupit. Megjithatë, me dorëheqjen Rustemi nuk e pranon fajin për rrezikim të ambientit jetësor me mbeturina për çka parashikohet dënim me burg prej 3 muaj deri në 3 vjet.

“Ekskluzivisht dhe zyrtarisht të njoftoj se edhe gjatë ditës së sotme do ta dorëzojë dorëheqjen me shkrim nëpërmjet Gjykatës Themelore Penale deri te Qyteti i Shkupit. Duke e pasur parasysh se për ushtrues detyre është emëruar nga ana e kryetarit të Qytetit të Shkupit. Por, kjo nuk nënkupton që dorëheqja paraqet faj, ose eventualisht pranim të fajit për ato veprime të cilat i ngarkohen. Dorëheqja e tij është akt personal, akt moral dhe marrëdhënie e lartë profesionale ndaj Prokurorisë Publike dhe Gjykatës që veproi në pjesën e hetimit të hapur”, deklaroi Asmir Alispahiq, avokat.

Ndërkohë, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, e cila e ka emëruar Rustemin drejtor, thekson që pranimin e dorëheqjes dhe emërimin e drejtorit të ri duhet ta bëjë Bordi Drejtues i Higjienës Komunale.

“E ftojmë kryeministrin Mickoski i cili ka kryetare të saj në Bordin Drejtues nga VMRO e cila njëkohësisht është dhe kriminele e dënuar për 2 vepra penale në vitin 2006 dhe 2022, ta thirr Bordin Drejtues të Higjienës Komunale Shkup në pajtueshmëri me nenin 24a paragrafi 2 nga Ligji për Ndërmarrje Publike që të miratojë vendim për shkarkimin e drejtorit dhe në pajtueshmëri me paragrafin 3 nga i njëjti nen, të emërojë ushtrues detyre të ndërmarrjes”.
Megjithatë Arsovska citon nen që ka të bëjë me emërimin dhe shkarkimi e drejtorëve të ndërmarrjeve që i themelon qeveria dhe jo siç është rasti me Higjienën Komunale e cila është e themeluar nga Qyteti i Shkupi.

Nëpërmjet një bisede të shkurtër telefonike, kryetarja e Bordit Drejtues, Juliana Spirovska, theksoi për Alsat që Qyteti i Shkupit ka kryetar dhe drejtorin e ri duhet ta emërojë kryetari. Ndërkohë për akuzat e Arsovskës, Spirovska thotë se institucionet kanë qasje në të gjitha dokumentet dhe mund t’i kontrollojnë. Ajo gjithashtu tha se ka dhënë sqarim për punën e saj para Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Ndërkohë nga Prokuroria, theksojnë që nuk përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të hetimit nëse konstatohen dyshime për kryerjen e veprave penale. Rustemi së bashku me udhëheqësin për menaxhim me mbeturinat, Haki Saiti, sipas Prokurorisë dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhim me Mbeturina dhe Planit Operativ për Mirëmbajtjen e Qytetit, pasi nuk kanë pastruar me rregull mbeturinat. Sipas organit të akuzës, ata kanë mundësuar të krijohen deponi të vogla në hapësira publike të Shkupit, me çka kanë dëmtuar ndjeshëm cilësinë e tokës, ajrit dhe ujit dhe e kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njerëzve nga sëmundjet infektuese dhe të tjera. Hetimi i Prokurorisë vjen pas një periudhe disamujore që Qyteti i Shkupit përballet me problemin e mbeturinave. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit