Haxhiu në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës: “Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës”

Advertisement

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot gazetarë ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se disa prej gazetarëve ukrainas e kanë pasur Kosovën si shtëpi të përkohshme gjatë viteve të luftës, prej nga kanë vazhduar të raportojnë dhe të punojnë për vendin e tyre.

Ajo theksoi se përvoja e Kosovës me luftën e ka bërë më të kuptueshme për shoqërinë kosovare koston njerëzore të konfliktit.

“E dimë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur kur do të kthehesh. E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, qëndrueshmëria e popullit ukrainas gjatë viteve të luftës ka marrë respekt të thellë në Kosovë, ndërsa Ukraina ka vazhduar të mbrojë vendin, institucionet dhe mënyrën e saj të jetesës pavarësisht presionit të luftës.

Haxhiu tha se Kosova ka qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus, duke theksuar se Prishtina mbështet të drejtën e Ukrainës për të vendosur vetë për të ardhmen, për të mbrojtur territorin dhe për të jetuar e lirë.

Ajo përmendi edhe disa nga masat e ndërmarra nga Kosova, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, harmonizimin me partnerët evropianë dhe transatlantikë, mirëpritjen e gazetarëve ukrainas dhe pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për qytetarët ukrainas.

Kosova, sipas Haxhiut, e ka mbështetur Ukrainën edhe në aspektin e mbrojtjes. Ajo tha se Kosova është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë operacionin “Interflex”.

Haxhiu përmendi gjithashtu dy pako të ndihmës ushtarake të dërguara nga Kosova, të cilat, sipas saj, përfshijnë 30 automjete ushtarake dhe 10 mijë predha mortajash.

Duke folur për gazetarët ukrainas që ndodhen në Kosovë, Haxhiu tha se prania e tyre ka një domethënie të veçantë, duke kujtuar rëndësinë që kishte dokumentimi i luftës së Kosovës dhe informimi i botës për atë që po ndodhte.

Në fund, Haxhiu tha se Kosova dëshiron paqe për Ukrainën, por një paqe që garanton pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj dhe që u mundëson ukrainasve të vendosin vetë për të ardhmen e vendit.

“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës”, deklaroi Haxhiu, duke uruar Ukrainën dhe qytetarët e saj për Ditën e Pavarësisë./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit