Shkup, 20 nëntor – Gjatë vitit 2025, deri në mesin e nëntorit, në Sektorin për Krim Kibernetik pranë Ministrisë së Brendshme janë paraqitur 60 denoncime për mashtrime të ndryshme në internet dhe 20 denoncime për keqpërdorim të të dhënave personale online. Nga këto, katër ankesa kanë ardhur nga mjekë, të cilëve u është vjedhur identiteti nëpërmjet videove të rreme “deep fake” dhe intervistave të krijuara me inteligjencë artificiale, të përdorura për reklamimin dhe shitjen e produkteve të ndryshme.
Sipas MPB-së, këto raste lidhen me përdorimin e emrit dhe fotografive të mjekëve të njohur, për t’i shitur publikut çaje dobësimi apo produkte të dyshimta për trajtimin e sëmundjeve, pa dijeninë ose pëlqimin e tyre.





