Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim rinor – RYCO, Albert Hani, në intervistë për Ora24.tv dhe Almakos.com deklaroi se është i kënaqur se si Qeveria aktuale, mbështet aktivitetet që dalin në suaza të Procesit të Berlinit por edhe aktivitetet për zhvillimin e të rinjve të cilat realizohen nga RYCO.
“Kryesisht jam shumë i kënaqur nga përkrahja e të gjitha qeverive, por posaçërisht edhe e Qeverisë nga ku unë edhe vij. Jam shumë i kënaqur në qoftë se vendi im amë, tregon më shumë interes për këta lloj projektesh. Me të vërtetë jemi duke parë një far lloj interesi i cili tregohet jo vetëm me përkrahje financiare, por edhe me mbështetje gjatë organizimit të eventeve të ndryshme, gjatë tregimit të interesave për zhvillim të ideve dhe projekteve të tjera. Ne jemi ngushtë të lidhur me Ministrinë për Punë Sociale, Demografi dhe Rini. Ministrin e kemi edhe anëtar të Bordit, ministri vetë ka qenë shumë konkret, shumë konciz, shumë bashkëpunues në Bordin e RYCO-s, por edhe institucionet tjera siç janë kryeministria dhe ministritë e tjera. Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe do të kisha thënë si përfundim se vetë prezenca dhe koordinimi, kooperimi i Qeverisë tonë me Qeveritë tjera por edhe i Qeverisë sonë me RYCO-n, nënkupton se janë të gatshëm të bashkëpunojnë në nivel të komunikimit të paqes, tolerancës dhe ballafaqimit me të kaluarën me qëllim që të arrihet në një energji në këtë rajon e cila do të na japë një shtytje më të shpejtë drejtë proceseve eurointegruese”, deklaroi Albert Hani/Ora24.tv.