Autoritetet e Grenlandës i kanë drejtuar një paralajmërim të ashpër kompanisë amerikane të naftës “Greenland Energy”, e lidhur me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pasi kompania ka sjellë pajisje për shpime eksploruese në tokë pa miratimet e nevojshme qeveritare.
Sipas gazetës “The Telegraph”, Departamenti i Industrisë dhe Mineraleve i Grenlandës bëri të ditur se makineritë muajin e kaluar janë shkarkuar në bregun lindor të ishullit, ku është planifikuar shpim eksplorues për naftë në rajonin Jameson Land. Departamenti konfirmoi se mbajtësit të licencës do t’i dërgohet një „paralajmërim i ashpër“, duke theksuar se shpimet nuk mund të vazhdojnë pa miratimin zyrtar të autoriteteve të Grenlandës.
Projekti eksplorues financohet nga kompania “Greenland Energy”, me seli në Teksas, e cila u themelua vitin e kaluar dhe mori shumicën e aksioneve në projekt në këmbim të financimit të tij. Kompania pretendon se nën rajonin Jameson Land mund të gjenden rezerva të naftës së papërpunuar me vlerë deri në një trilion dollarë.
Presidenti i kompanisë, Larry Sweats, në qershor pranoi se një përfaqësues i tyre u kishte thënë gabimisht banorëve të Grenlandës se leja për futjen e pajisjeve tashmë ishte lëshuar.
“Entuziazmi ynë për projektin na bëri të komunikojmë në një mënyrë që krijoi konfuzion”, deklaroi Sweats.
Megjithatë, në një letër drejtuar aksionarëve të dërguar të enjten, “Greenland Energy” deklaroi se bisedimet me rregullatorët e Grenlandës kanë qenë „konstruktive“ dhe se kompania mbetet e inkurajuar nga përparimi drejt marrjes së miratimeve të nevojshme.
Kjo polemikë vjen në një periudhë të interesit të ripërtërirë të SHBA-së për Grenlandën. Disa ditë pasi banorët raportuan se kishin parë pajisjet e shpimit duke u futur në territor, Trump publikoi në rrjetin e tij social “Truth Social” një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej duke parë drejt një fshati në Grenlandë, të shoqëruar me mbishkrimin „Përshëndetje, Grenlandë!“.
Trump shkaktoi kritika ndërkombëtare në janar të vitit 2025, pasi refuzoi të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për marrjen e kontrollit mbi Grenlandën, duke deklaruar se SHBA-së i nevojitet ishulli „për arsye të sigurisë kombëtare“. Edhe pse që atëherë e ka zbutur retorikën e tij, ai e ka cilësuar Grenlandën si „të një rëndësie jetike“ për sistemin e tij të propozuar të mbrojtjes kundër raketave, „Golden Dome“. Grenlanda është territor autonom në kuadër të Mbretërisë së Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s, njësoj si SHBA-ja.
Nga ana tjetër, “Greenland Energy” mohon se projekti i saj i naftës është i lidhur me ndonjë plan për aneksimin e Grenlandës. Muajin e kaluar, kompania emëroi në bordin e saj drejtues Carol Craig, veterane e Marinës së SHBA-së, ndërsa angazhoi edhe ish-prezantuesin e njohur televiziv Dr. Phil McGraw për të qenë drejtues i një serie dokumentarësh për kërkimet e saj në Arktik.






