Hajdutët kanë hyrë me forcë në Muzeun Kombëtar të Sirisë në Damask, duke vjedhur disa statuja të lashta prej mermeri që datojnë nga epoka romake, raportoi agjencia Associated Press.
Zyrtarët sirianë konfirmuan se gjashtë statuja janë zhdukur dhe se një hetim është në zhvillim, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë autorët e grabitjes.
Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje dhe është zbuluar të nesërmen në mëngjes, kur një derë në departamentin klasik të muzeut është gjetur e thyer. Për shkak të incidentit, muzeu,institucioni më i madh i vendit është mbyllur përkohësisht.
Muzeu Kombëtar i Damaskut u rihap në janar, pas përfundimit të luftës civile 14-vjeçare dhe rënies së regjimit 54-vjeçar të familjes al-Assad. Ai strehon mijëra artefakte të periudhave helenistike, romake dhe bizantine, shumë prej të cilave janë shpëtuar gjatë viteve të konfliktit.
Zyrtarët thanë se përpara rihapjes, autoritetet kishin marrë masa sigurie, duke instaluar porta metalike dhe kamera mbikëqyrjeje, si dhe kishin transferuar qindra objekte nga rajonet e rrezikuara drejt kryeqytetit.
Shefi i policisë së Damaskut, Gjenerali i Brigadës Osama Atkeh, konfirmoi se disa objekte të rralla ishin marrë nga muzeu dhe se forcat e sigurisë po punojnë për rikuperimin e tyre./KultPlus.com






