Gjyqtarët do të marrin sërish paga më të larta, pasi Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi ndryshimet ligjore të miratuara në dhjetor të vitit 2024 dhe shkurt të vitit 2026. Ndryshimet ishin iniciuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, në vazhdën e fushatës për të parandaluar rritjen e pagave të funksionarëve të pushtetit gjyqësor ekzekutiv, legjislativ dhe lokal.
Shkurtimi i pagave deri në 13.000 denarë, sipas shumicës parlamentare do të sillte kursime që do të ridestinoheshin në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale, ndërsa të njëjtat u miratuan me gjithsej 79 vota në Kuvend, duke marrë edhe mbështetjen e opozitares LSDM.
Mbështetje kishte dhënë edhe ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov i cili para se të miratoheshin kishte thënë se ndryshimet bëhen në harmonizim me agjendën reformuese.
“Në procedurë qeveritare janë ligjet për shërbim gjyqësor dhe prokurori publike, sikur edhe ligjet për paga në gjyqësor. Qasja ndaj këtyre ligjeve është i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm, me qëllim të sigurohet zgjidhje sistemore e qëndrueshme dhe drejtë, të harmonizuar me agjendën reformuese dhe standardet evropiane. Bëhet fjalë për materie të ndjeshme e cila kërkon analizë thelbësore dhe koordinim gjithëpërfshirës institucional”, deklaroi Igor Fillkov, Ministër i Drejtësis.
Ndryshimet ishin miratuar pavarësisht paralajmërimit të Gjykatës Kushtetuese se po ndërhyhet në pavarësinë financiare dhe të përgjithshme të gjyqësorit.
“Kuvendi në vend që të veprojë në pajtueshmëri me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese të shprehura në vendimin për hapjen e procedurës më 24 dhjetor të vitit 2025, ka kryer ulje të re të koeficienteve të pagave të gjyqtarëve, kështu që Gjykata vendosi me vetiniciativë të hapë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat e Gjyqtarëve nga 26 shkurti i vitit 2026 dhe të njëjtin ta shfuqizojë”, thanë nga Gjykata Kushtetuese.
- Kuvendi i ka ulur pagat në kundërshtim me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese
- Rrezikohet gjendja financiare e gjyqtarëve dhe pavarësia e gjyqësorit
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ekziston tendencë për uljen e vlerës reale të pagave gjyqësore, që sipas paraqet mundësi për rrezikim të gjendjes materiale të gjyqtarëve, ndërsa me atë rrezikohet edhe pavarësia e gjyqësorit./Alsat.mk.



