Gjykata Kushtetuese hapi lëndë për emrat e rrugëve në Tetovë, në pikëpyetje vendimet e vitit 2007

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka hapur lëndë për emërimin e rrugëve në Tetovë në vitin 2007. Nisma është dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 dhe sot ka marrë ‘aminin’ e gjykatësve kushtetues, raporton Portalb.mk.

Sipas nismës Këshilli i Komunës së Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend.

Ata kërkojnë që kuptimi i rrugëve të jetë vetëm në maqedonisht.

“Kushtetuta dhe Ligji urdhërojnë që emrat e rrugëve të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik. Është e paligjshme që rruga të quhet “Kongresi i Manastirit” ose “Dëshmorët e Kombit” pasi ato janë të shkruara në gjuhën shqipe, por në shkrim cirilik”, thuhet në nismë.

Ata sqarojnë se emrat e rrugëve që janë në shqip duhet të përkthehen dhe të kenë kuptim në maqedonisht.

Në ndërkohë, emërimi i rrugëve është temë aktuale në Tetovë dhe është përcjellë me shumë debate dhe kritika politike.

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale, ndërsa grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti.

Në këtë proces nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit