Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot në Këshillin e Qytetit të Shkupit theksoi se janë shqiptuar gjoba deri në 53.000 euro për ndotësit që kanë ndotur ajrin ambient në kryeqytet.
“Sot u mbajt një seancë e jashtëzakonshme e këshillit të qytetit të Shkupit, e dedikuar ndotjes së ajrit ambient dhe shkaktarëve të saj.
Më gëzon që pas një kohe të gjatë për këto çështje diskutohet sinqerisht dhe pa politizim, me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete, dhe jo vetëm të fshihen problemet nën qilim.
Jam dakord me të gjitha fjalimet e këshilltarëve.
Ky problem kërkon përkushtim, veprime konkrete dhe përgjegjësi të përbashkët.
Ndotja nuk është një problem që zgjidhet brenda natës, as nuk është krijuar nga sistemi aktual, por tani është detyra jonë të veprojmë dhe ta bëjmë Shkupin më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë.
Gjatë periudhës së fundit kemi ndërmarrë kontrolle të shtuar inspektuese në kapacitetet industriale, kemi vendosur mbikëqyrje të rregullta dhe të jashtëzakonshme, punojmë për zgjidhjen e trafikut, ndërtimin e hapësirave të reja të gjelbra dhe korridoreve të gjelbra, si dhe trajtim të duhur të deponive.
Vetëm në periudhën nga 6 nëntori deri më 1 janar janë lëshuar 90 gjoba dhe urdhra për shkelje, 33 vendime për obligim, 35 mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe 290 paralajmërime.
Inspektorët e mjedisit kanë kryer mbi 45 mbikëqyrje të jashtëzakonshme të personave juridikë në zonën e ish-fabrikave OHIS dhe Staklara, si dhe në territorin e komunës Saraj.
Janë shqiptuar gjoba nga 1.000 deri në 53.000 euro.
Personat përgjegjës në subjektet juridike janë gjobitur me nga 3.000 euro, ndërsa dhjetëra individë që hodhën mbeturina në mënyrë të gabuar në hapësira publike dhe private morën gjoba nga 250 deri 500 euro për djegie ose hedhje të gabuar të mbeturinave.
Inspektorati i transportit rrugor dhe i rrugëve ka kryer kontrolle në nëntë kantierë, prej të cilëve shtatë janë detyruar me vendime për regjim të përkohshëm të trafikut, ndërsa dy kanë pasur akt-protokolle pozitive.
Në një kantier është shqiptuar gjobë prej 3.000 euro për subjekt juridik dhe 900 euro për personin përgjegjës.
Inspektorati komunal ka kryer 240 kontrolle në kantierë në tërë Shkupin, duke paralajmëruar 25 objekte, ndërsa në 11 janë shqiptuar gjoba nga 1.300 euro secila. Inspektorët komunalë kryejnë rrethore dhe kontrolle të vazhdueshme në territorin e qytetit, sheshet dhe hapësirat publike, me çka janë shqiptuar mbi 60 gjoba.
Për buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar 64 milion denarë për sektorin e mjedisit, krahasuar me 24 milion denarë në vitin 2025, çka tregon qartë se sa seriozisht e marrim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Shtesë, janë siguruar 220 milion denarë për ngritjen dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit publik dhe parqeve, si pjesë e angazhimeve tona të sinqerta për ajër të pastër dhe jetë të shëndetshme.
Janë parashikuar subvencione për kondicionerë inverter, pastrimin e oxhaqeve, filtra për to, subvencione për biçikleta etj.
Më gëzon që seanca u zhvillua konstruktivisht dhe pa politizim.
Faleminderit të gjithëve që morën pjesë me qëllim të sinqertë.
E di që vetëm me punë të bashkuar, inspektime të rregullta, masa konkrete dhe vullnet të fortë mund të mbrojmë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë, shëndetin e fëmijëve tanë dhe të brezave të ardhshëm.
Shkupi meriton ajër të pastër, rregull në hapësirat publike, parqe të gjelbra dhe përgjegjësi nga të gjithë ne.
Dhe ne po e bëjmë këtë.
Tani është koha që rezultatet të jenë të dukshme, të matshme dhe të qëndrueshme,” theksoi Gjorgjievski.



