Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar njoftoi se trasa e transportit të shpejtë me autobusë (BRT) nuk do të kalojë nëpër gjelbërimin qendror, por përgjatë korsisë së fundit të rrugës.
Kjo korsi edhe tani është e dedikuar vetëm për autobusë, por kjo nuk respektohet, pasi në të lëvizin dhe parkohen automjete të tjera.
Gjorgjievski tha se do të vendoset gjelbërim si barrierë që të pengohet lëvizja e automjeteve në këtë korsi.
“Trasa e BRT-së nuk do të kalojë nëpër gjelbërimin qendror, duke mbrojtur kështu burime të rëndësishme natyrore, përfshirë furnizimin me ujë të qytetit. Në vend të kësaj, sistemi do të zhvillohet në korsitë anësore, ndërsa do të parashikohet edhe gjelbërim i ri si barrierë natyrore”, thuhet në njoftimin e Gjorgjievskit.
Më herët, Gjorgjievski kishte deklaruar se trasa nuk do të ndryshohej dhe se projekti do të vazhdonte sipas planit fillestar.
Projekti parashikon: dy linja: Lindje–Perëndim dhe Veri–Jug, furnizim me autobusë BRT me CNG/hibridë me dysheme të ulët, stacione inteligjente, sistem informimi për udhëtarët, integrim me qendrën e trafikut të Qytetit të Shkupit
Mjetet nga kredia e BERZH-it – 70 milionë euro – do të transferohen si mjete të pakthyeshme për projektin. Qeveria paralajmëroi edhe furnizimin me 100 autobusë ekologjikë, por ende nuk ka një datë të qartë për ardhjen e tyre.
Projekti që për vite ishte kritikuar, sot është ndër më të dëshiruarit
VMRO-DPMNE në vitin 2021 kur ishte në opozitë kritikoi se transporti BRT është i shtrenjtë dhe joefikas dhe do të krijojë kaos në komunikacion dhe se ideja e kryetarit të atëhershëm Petre Shilegov nga LSDM nuk përputhej me realitetin dhe është edhe një truk marketingu.
Kjo retorikë vazhdoi për vite, ndërsa projekti, që disa herë u gjend në rend dite të Këshillit të Qytetit të Shkupit, nuk arriti të marrë dritën jeshile për të lehtësuar transportin në kryeqytet.
Projekti, i cili ishte paralajmëruar me ambicie, në vitet në vijim u përball me kritika të ashpra dhe bllokada. Ai u ndal në mandatin (2021–2025) të ish-kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, dhe u bllokua nga një pjesë e këshilltarëve. Për këtë projekt, Qeveria e udhëhequr nga LSDM kishte siguruar kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 70 milionë eurosh.
Deri në vitin 2025, projekti u rikthye në fokus për shkak të zgjedhjeve lokale, kur BRT sërish u bë një nga zgjidhjet infrastrukturore më të përmendura, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.
Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.



