“BNJVL është asociacion, organi më i lartë i të gjitha komunave, në të cilin janë anëtarësuar të 80 komunat plus Qyteti i Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Dhe përveç kësaj, janë 9 përfaqësues nga këshillat”, deklaroi Orce Gjorgjievski, kryetar i Komunës së Kisella Vodës dhe kryetar i BNJVL-së në televizionin Sitel.
“Sot për mua ishte shumë e rëndësishme që pas dy vite e gjysmë bllokadë nga Qeveria, u shfaq mandatari për formimin e Qeverisë së re, mbi të gjitha kryeministri i ardhshëm Hristijan Mickoski. Dhe ky është një lajm i mirë, një shkëndijë shprese për komunat dhe për funksionimin e komunave”, ka theksuar ai.
Gjorgjievski shtoi se sot në mbledhjen e BNJVL-së, është biseduar për pikëpamjet e sistemuara të BNJVL-së, problemet me të cilat autoritetet lokale ballafaqohen me vite të tëra, tejkalimi i tyre. Këtu janë problemet lidhur me zgjidhjet ligjore dhe decentralizimi fiskal nga ana tjetër.
“Shkëndijën e shpresës e dha sot Hristijan Mickoski në atë mënyrë që gjithçka që ishte bllokuar nga qeveria në të kaluarën nuk do të jetë më”, tha Gjorgjievski.
“Vetëm nga tatimi mbi të ardhurat personale në komuna hyn 6%, po të bëjmë një paralele me atë që përmenda me komunat dhe qytetet e tjera të zhvilluara europiane, kemi një nivel që arrin në 50-60% madje edhe 70%, dhe ndonjëherë edhe 100% e fondeve. Dhe, për fat të keq, në Republikën e Maqedonisë, gjendja e komunave në këtë moment, siç është pozicionuar, çon në një situatë ku e vetmja mënyrë e financimit, për fat të keq do të thoja, për komunat, burimi i të ardhurave është ndërtimtaria, e cila nuk është tërheqëse, sidomos për komunat e Shkupit”, ka sqaruar ai.
Ai theksoi se komunat kanë nevojë për decentralizim fiskal në një nivel shumë më të lartë se sa kanë komunat tani.
“Besoj se do të kemi progres serioz dhe një hap përpara. Nga ana tjetër, problem serioz paraqesin edhe bllok-dotacionet, ku po të kemi parasysh Ministrinë e Arsimit, fondet që mbërrijnë përmes bllok-dotacioneve nuk mjaftojnë për të paguar pagat e mësuesve dhe pedagogëve, e as që bëhet fjalë për ndonjë investim”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se BNJVL-ja tash e tutje do të ketë partner nga qeveria me të cilin do të zgjidhen problemet shumëvjeçare të komunave.