Gjin dhe Lum Rrahmani, dy vëllezër nga Kosova të njohur për rezultate të jashtëzakonshme akademike, kanë shënuar një tjetër sukses ndërkombëtar duke fituar disa çmime kryesore në Garën Ndërkombëtare të Shkencës dhe Inteligjencës Artificiale Neo Science Olympiad, e mbajtur këto ditë në Orlando, Florida.
Sipas organizatorëve, vëllezërit Rrahmani u vlerësuan me medalje të artë në Inteligjencë Artificiale, duke zënë vendin e parë, si dhe me medalje të artë në Biologji, në kategorinë “Best of the Best”. Ata gjithashtu fituan medalje të bronztë në Matematikë, duke u renditur në vendin e tretë.
Gjin dhe Lum Rrahmani kanë marrë pjesë në gara të shumta ndërkombëtare që nga mosha e vogël, duke përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme të botës, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Holandën, Egjiptin dhe Malajzinë.
Ata janë dalluar veçanërisht në fusha si shkenca, kodimi, gjuha angleze dhe inteligjenca artificiale, ku në vazhdimësi kanë arritur rezultate të larta dhe janë kthyer me çmime kryesore dhe medalje të arta.
Suksesi i fundit në Orlando konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit të të rinjve nga Kosova në garat globale të dijes dhe teknologjisë.(INA)



