Shkup, 6 gusht – Të paktën nëse bazohemi në të dhënat empirike të siguruara nga Qendra Shtetërore e Provimeve mund të konstatojmë që kjo gjeneratë e studentëve të rinjë janë më punëtorë e të zotë sesa gjenerata paraprake. Pra, gjenerata e re e studnetëve po sinjalizon një shpresë të re për një arsim më produktiv, që universitetet do të pranojnë studentë me të cilët do duhet të punojnë jo vetëm administrata por edhe stafi arsimor. Këto të dhëna pasqyrojnë se cilësia në arsim e angazhimi i nxënsëve dhe studentëve po shkojnë drejt përmirësimit, shkruan Zhurnal.
Gjenerata e re e studentëve shpresë e re për një arsim më cilësor –
Një nga treguesit më të qartë të progresit në një shoqëri është zhvillimi i sistemit arsimor dhe performanca e studentëve brenda tij. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Qendra Shtetërore e Provimeve tregojnë një rritje domethënëse të suksesit në provimet e maturës shtetërore, duke na vënë përballë një pyetje të rëndësishme se a po vjen një gjeneratë më e aftë dhe më e përgatitur se ajo e mëparshmja?
Në afatin e qershorit të maturës shtetërore të këtij viti, nota mesatare ishte 3.69, krahasuar me 3.26 vitin e kaluar një përmirësim që nuk mund të anashkalohet. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, shprehu hapur kënaqësinë për këtë arritje dhe theksoi se janë minimizuar edhe përpjekjet për kopjim, që tradicionalisht kanë qenë një njollë në procesin e maturës.
Ky përmirësim i ndjeshëm nuk është thjesht një statistikë. Ai përfaqëson më shumë se një ngritje mesatare notash ai reflekton një ndryshim të mundshëm në qasjen ndaj dijes, një motivim më të lartë të nxënësve dhe ndoshta një sistem më të konsoliduar arsimor. Në një periudhë kur shpesh flitet për krizë në edukim, një zhvillim i tillë ngjall optimizëm.
Kush janë faktorët kryesor që e sollën këtë progres?
Ka disa faktorë që mund të kenë kontribuar në këtë ngritje. Angazhimi më i madh i nxënësve që ndërlidhet me gjeneratat e reja që po vijnë më të ndërgjegjshme për rëndësinë e arsimit si armë për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Me ndihmën e teknologjisë dhe qasjesmë të gjerë në informacione, nxënësit kanë më shumë mundësi për të mësuar në mënyrë të pavarur.
Nuk duhet ta anshkalojmë edhe situatën që lidhet me stabilizimin pas pandemisë. Me kthimin e normalitetit në procesin mësimor pas pandemisë së COVID-19, studentët kanë pasur kushte më të favorshme për përgatitje të qëndrueshme dhe cilësore.
Monitorimi dhe rregullat më të rrepta ndaj kopjimit është risi në këtë vit si hap është dasht të ndërmerret shumë më herët. Me vetëm 172 raste të përpjekjeve për kopjim nga mbi 15,000 nxënës, qartësisht ka një disiplinë më të madhe në sallat e provimeve. Kjo jo vetëm rrit kredibilitetin e rezultateve, por ndihmon edhe në kultivimin e një kulture të ndershmërisë akademike.
Nga ana tjetër ka ndikuar edhe përmirësimi i sistemit të testimit dhe transparenca. Qendra Shtetërore e Provimeve ka krijuar një sistem më të besueshëm për nxënësit, duke mundësuar ankesat dhe rishikimet për të gjitha lëndët, çka rrit ndjenjën e drejtësisë dhe besimit në proces.
Por ky sukses nuk duhet të shihet si një pikë përfundimtare, por si një pikënisje. Përmirësimi i notës mesatare është një tregues që duhet shoqëruar me analiza më të thella mbi cilësinë e arsimit, zhvillimin e mendimit kritik, aftësive praktike dhe përgatitjen për tregun e punës. Duhet ndërtuar mbi këtë progres për të nxitur më shumë reforma në kurrikula, për të investuar në trajnimin e mësimdhënësve dhe për të siguruar që arsimi të mbetet i lidhur ngushtë me kërkesat e shoqërisë moderne.
Kujtojmë që, të dhënat nga matura shtetërore e këtij viti janë një sinjal pozitiv për të ardhmen. Gjenerata e studentëve që po vijnë nuk janë thjesht më të suksesshëm në letër ata përfaqësojnë një ndryshim kulturor që ndoshta po ndodh ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme. Nëse ky ritëm ruhet dhe shoqërohet me mbështetje institucionale, arsimi mund të bëhet një nga shtyllat më të forta të zhvillimit të vendit në vitet që vijnë. /Zhurnal.mk





