Gjatë vizitës së Spitalit Nefrologjik në Strugë, kandidati i pavarur për Komunën, Mendi Qyra së bashku me ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu dhe drejtorin e spitalit Jetmir Ziba, u njohën nga afër me gjendjen e institucionit dhe sfidat e përditshme.
Gjatë vizitës u theksua se çatia e objektit, e rinovuar para 8-9 viteve, nuk ka marrë trajtimin cilësor që duhej dhe vazhdon të paraqesë probleme serioze. Po ashtu, spitali ka probleme me ashensorët, të cilët shpesh nuk funksionojnë si duhet, duke e vështirësuar qasjen dhe transportin e pacientëve. Përveç këtyre, spitali ka nevojë për zgjerimin e personelit mjekësor, për t’u përballur me kërkesat në rritje të pacientëve.
Ministri Azir Aliu theksoi se nefrologjia në Strugë do të marrë investime të konsiderueshme, si në kapacitetet njerëzore, ashtu edhe në infrastrukturë, duke përfshirë rinovimin komplet të çatisë dhe zgjidhjen e problemeve me ashensorët. Ai nënvizoi se së bashku me pushtetin lokal duhet të hartohet një projekt i detajuar dhe të dorëzohet në Ministrinë e Energjitikës për realizimin e tij.
Nga ana e tjetër, Mendi Qyra u shpreh se do të bëjë të pamundurën për të përmirësuar gjendjen e spitalit dhe për ta kthyer atë në një institucion funksional për qytetarët e Strugës.
Në përfundim, ministri Aliu u zotua se me bashkëpunim të afërt me pushtetin lokal, do të realizohen projektet e nevojshme për të përmirësuar kushtet dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore në spitalin nefrologjik.





