Gjatë këtij viti janë regjistruar 36 raste të vdekjes së foshnjave të porsalindura dhe fëmijëve

Shkup, 27 dhjetor – Gjatë këtij viti janë regjistruar 36 raste të vdekjes së foshnjave të porsalindura dhe fëmijëve. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë vetëm për 6 raste ka formuar komisione profesionale për inspektim të jashtëzakonshëm. Por, siç thonë nga atje në asnjërin prej këtyre rasteve nuk janë konstatuar lëshime profesionale mjekësore por kanë evidentuar vetëm vërejtje administrative, kryesisht në plotësimin dhe menaxhimin e dokumentacionit mjekësor.

“Nga ana e ministrit gjatë vitit 2025 janë krijuar gjashtë komisioni për mbikëqyrjen e punës profesionale për të porsalindurit dhe fëmijët e vdekur. Në përgjithësi, nga raportet e paraqitura, komisionet nuk kanë përcaktuar ekzistencën e mangësive, parregullsive ose lëshimeve në kryerjen e punës profesionale. Vërejtjet janë kryesisht të natyrës administrative dhe mbajtjes së dokumentacionit mjekësor. Gjithashtu, këtë vit, një mbikëqyrje profesionale është iniciuar nga Oda e Mjekëve për të cilin ende pritet një raport nga Oda e Mjekëve”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në rastin e fundit Komisioni i formuar nga Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në vdekjen e foshnjës në Spitalin Gjinekologjik nuk është konstatuar gabim Mjekësor. Sipas tyre, procedura e reanimimit është zbatuar sipas protokollit.

“Në bazë të dokumentacionit të plotë mjekësor, deklaratave të personelit mjekësor dhe gjetjeve të autopsisë, Komisioni konstatoi se bëhet fjalë për një foshnjë të lindur para kohe, me infeksion të rëndë dhe funksion pulmonar të dëmtuar për shkak të mushkërive të paformuara”, shtuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Ditë më parë familjarët hodhën dyshime për gabim mjekësor, duke theksuar se në dy ditët e para pas lindjes foshnja ishte në gjendje të mirë shëndetësore, që më pas në ditën e tretë të marrin njoftimin se mund të vdesë në çdo kohë./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit