Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot ka uruar qytetarët për 8 dhjetorin – Ditën e Shën Klimentit të Ohrit.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, Ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e 8 Dhjetorit – Ditës së Shën Klimentit të Ohrit.
Vepra e Shën Klimentit të Ohrit paraqet themelin e edukimit, arsimit dhe kulturës shpirtërore të popullit maqedonas. Trashëgimia e tij është vlerë universale që i tejkalon kufijtë fetarë dhe etnikë dhe është simboli i dijes dhe progresit.
Kjo ditë na kujton se investimi në arsim, kulturë dhe dije është themeli më i fortë mbi të cilin ndërtohet shteti i qëndrueshëm, i drejtë dhe demokratik.
Në këto vlera, njohim një qëllim të përbashkët – një shoqëri të fortë, të bashkuar dhe perspektive për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e Gashit.






