Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, po vazhdon takimet me ambasadorët e vendeve mike, të cilët po e urojnë me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit.
Pas takimeve të sotme me ambasadoren e SHBA-së dhe koordinatoren e përhershme të OKB-së, Gashi ka takuar edhe ambasadoren e Zvicrës, Veronique Hulmann.
“Me kënaqësi mirëprita ambasadoren e Zvicrës, Sh. S. Veronique Hulmann. Shpreha kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve tona, të cilat karakterizohen nga miqësia dhe mirëkuptimi, por edhe dialogu i hapur.
Ambasadores i shpreha mirënjohjen për punën e qeverisë zvicerane në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në vendin tonë, të cilat përmes projekteve vazhdojnë të sigurojnë funksionim më efikas dhe më transparent të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Jemi të vendosur që të vazhdojmë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe projektet e shumta zhvillimore”, shkruan Gashi.