Futja në listën e zezë nuk i pengon të drejtojnë komunë apo të bëjnë biznes

“Ne, si Qeveri, duhet të krijojmë parakushte në aspektin e legjislacionit që rastet e tilla të procedohen në legjislacionin dhe sistemin juridik të Maqedonisë së Veriut, sepse është porosi shumë e keqe të shihet se, për ata persona që janë vendosur në listën e zezë në shtete të tjera, në shtetin tonë sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, deklaroi Grkovska.

Ajo ka theksuar se këtë iniciativë e ka mirëpritur edhe koordinatori i Departamentit amerikan të Shtetit për parandalimin global të korrupsionit, Richard Nephew, me të cilin ka zhvilluar një takim në kuadër të Konferencës së vendeve nënshkruese të Konventës së OKB-së kundër korrupsionit në Atlanta të SHBA-së.

Zëvendëskryeministrja Grkovska ka thënë se personat që janë futur në listën e zezë në SHBA nuk duhet të jenë në poste publike apo të jenë kandidatë për pozita publike.

Sipas saj, me këtë masë synohet rritja e besimit në institucione. Por, edhe pse u gjend në listën e zezë amerikane, kryetari i komunës së Strugës vazhdon ta mbajë këtë pozitë.

Kryeministri Kovaçevski nuk ka dashur ta komentojë këtë ndonëse ka theksuar se “nëse do të gjendej në listën e zezë amerikane jo vetëm që do të jepte dorëheqje, por këtë do ta llogariste si dështimin më të madh personal”.

Ish-gjykatësi Bashkim Selmani thotë se për këtë nuk ka nevojë miratimi i ligjeve të veçanta, pasi kjo rregullohet me një vendim të Qeverisë, por duket qartazi se për një gjë të tillë nuk ka vullnet politik as nga ana e partive në pushtet e as nga ata që janë në opozitë.

“Këtu ndodh që të njëjtët njerëz të jenë në listën e zezë, dhe njëkohësisht bartin pozita udhëheqëse dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike. Në këtë rast faktori ndërkombëtar, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, japin dëshmi morale për personat e caktuar përderisa veprimi juridik u mbetet institucioneve të shtetit përkatës”, vlerëson Selmani.

Ndryshe, pas konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001 në listën e zezë amerikane u gjend dhe kryetari i partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, i cili tashmë disa mandate është deputet në Kuvend./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit