30.8 C
Skopje
Tuesday, September 16, 2025

Fushatat zgjedhore – më të orientuara kundër të tjerëve, sesa në promovim idesh

Sipas tij, kandidatët duhet të fokusohen në prezantim të ofertave dhe jo te kundërshtarët politikë.

Sead Xhigall, komunikolog linguistik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partitë politike, në mungesë të ideve, mbeten të robëruar në çështjen e integrimeve evropiane, pavarësisht bllokimit të këtij procesi.

“Duket qartë se edhe përmes sloganeve që kanë zgjedhur, si blloku politik në pushtet, ashtu dhe ai në opozitë, qoftë nga tabori politik maqedonas, apo ai shqiptar, qëllim mbetet mobilizimi i ithtarëve partiakë, dhe jo nxitja e simpatisë tek ajo përqindje e lartë që nuk del fare për të votuar”, ka thënë mes tjerash ai.

Bashkimi Evropian e ka miratuar formalisht nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian, mirëpo ende nuk është bërë përparim në atë drejtim.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, garon edhe për një mandat me propozim të Lidhjes Social-Demokrate me sloganin “Presidenti ynë Stevo”.

Kandidatja e VMRO DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska Davkovska garon me sloganin “Maqedonia sërish krenare”, duke theksuar se angazhohet për “pajtim dhe unitet”, si dhe për “aleanca të reja”, pa saktësuar se cilat janë ato.

Kandidati shqiptar, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) garon me sloganin “President evropian”.

Arben Taravari, kandidat i koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare, garon me sloganin “Taravari për president”.

Procesi i integrimeve mbetet në fokus të garës edhe për zgjedhjet parlamentare për partitë në pushtet, Lidhjen Social-Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim.

Opozita maqedonase, në anën tjetër, synon të përçojë porosinë se identiteti kombëtar është më i sigurt me këtë parti.

Lidhja Social-Demokrate garon me sloganin “Nuk ka tërheqje nga e ardhmja”, VMRO DPMNE me sloganin “Maqedonia sërish e jotja – ndryshimet mbeten në duart e tua”, ndërkohë blloku i opozitës shqiptare garon me sloganin “Ndryshimi vlen”.

Bashkimi Demokratik për Integrim përmend të ardhmen e vendit si pjesë të familjes evropiane.

Fushata për zgjedhjet presidenciale ka nisur më 4 prill dhe do të zgjasë deri më 22 prill, kur fillon heshtja parazgjedhore, e cila zgjat deri më 24 prill – ditën e votimit.

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të nisë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj, kur fillon heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri më 8 maj./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit